Përderisa nëpër biseda me miq, ashtu në takime të rastit e të tjera, shpesh shtjellohen shkrime (opinione) të botuara apo gojore për të cilët kanë vështrimet e tyre mbi temën e trajtuar e debatuar gjithmonë në nivel koherent dhe pa dalë nga kontrolli duke marr kahe të parespektueshme edhe pse hasim kohë pas kohe degjenerime dhe nervozë të panevojshme.
Ndryshon gjendja tek komentet në fund të faqes së portaleve ku në të shumtën e rasteve mungon argumenti dhe vlojnë sharjet. Debatet marrin rrjedhën e fyerjeve të të gjitha llojeve por vërej se „anatomia“ është shkenca më e njohur që përdoret si argument kundër autorit apo komentuesve në rubrikë. E njëjta strukturë „faktesh“ e „dokumentimesh“ edhe nëpër mediat sociale me dallim se këtu ka më pak anatomi që shërben për t‘iu kundërvu opinionit të tjetrit.
Në faqet sociale pjesëmarrësit janë më, bashkëbisedues të drejtpërdrejt me dëshmitë e dokumentimet e tjera, nënkuptuar këtu edhe ata që nuk e kanë lexuar opinionin, mendimin ose gjykimet e lëmive të ndryshme e mbi të cilin debatohet të themi në Facebook, Tweeter e të tjera kuvende elektronike.
Pasi çdo kush ka të drejtë po aq sa nuk ka të drejtë mbi një çështje, mbi një opinion të bërë publik, mundësitë e sodit ia japin hapësirën e shprehjes autorëve dhe njëherit krijojnë, dhe nxisin debate (interesat janë të shumënduarshme) duke dhënë hapësirë gjithnjë më të madhe lexuesve dhe vizitorëve që lexojnë në diagonale ose edhe më pak, që të thonë mendimin e tyre. Këto mundësi të pa paramendueshme vetëm disa vjet më parë, çfarëdo që të jetë kualiteti i tyre, është një vlerë që merr dimensione të reja dhe që e shndërron mentalitetin e dikurshëm të „…thotë gazeta“ me pretendimin se e shkruara në gazetë qenka një e vërtetë sot ndryshoi me një „por“ të famshme (a nuk thuhet…ka të drejt por…). Me këtë „por“, mendimi unik mbaroi dhe u hap shpirtgjerësia për vlera të reja në shoqërinë bashkëkohore.
Pikëpamjet e çdokujt mund të jenë sa të drejta po aq edhe të gabuara. Detyra e atyre që kanë vizion tjetër, të kundërt ose relativisht të ndryshëm, është që të shtjellojnë, argumentojnë e japin rrugë të tjera duke u kujdesur që argumenti të jetë fuqia e debatit. Kështu, me vënie në pah të dhënat që vlerësohen nga autori si të sakta ose së paku „të forta“, detyrimisht do të sulmoj idetë e jo autorin e shkrimit. Sulmi ndaj autorit pason nga mosrespektimi dhe nga mos njohuria ose e idesë ose nga totaliteti i mungesës së kulturës elementare për debat e për njerëzim.
Nuk mund askënd ta bëjmë si veten dhe andaj, nuk ka nevojë „m’krypja“ (sharjet) e polemikës, debatit apo shqyrtimeve me nuanca të ndryshme nga tjetri.
Më së fundi, ekzistenca e mundësive të anonimitetit krijon një monopol të jashtëzakonshëm „polemistësh“ nga të cilët numri më i madh i hapet çdokujt qoftë me fyerje qoftë me kërcënime të zhdukjes fizike të tjetrit gjë që turbullon ajrin dhe lë vrazhdësi në fund të faqes ku ndoshta kemi pasur të bëjmë me një opinion me vlerë.
Dhe si përfundim, demokracia i ka liritë e veta por ajo do të jetë e mirëfilltë vetëm atëherë kur kërcënimet dënohen pa përjashtim.
Kërcënime mirëdashëse nuk ka; fjalë mirëdashëse po. Të respektojmë pra mendimin ndryshe dhe ta luftojmë atë nëse nuk pajtohemi, me ide ndryshe, më të mira dhe më përparimtare.
Reis Mirdita
|