Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Promovim i librit “Intervenimi i Nato-s në Kosovë”
Publikuar më 02 prill, 2018 në orën 22:43 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Prof. dr. Sabahajdin Cena

MOS - HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE

(Me rastin e promovimit të librit "NATO Intervention in Kosova", të autorit Prof. dr. Nusret Pllana, në shenjë të 19 vjetorit intervenimit të NATO - s në Kosovë)

“Dhe s’ ka fuqi,
nuk ka
që hovin ma t’ na ndali,
dhe t’ harrohet emni
që mbeti me shekuj si kala.
Se Lirinë e fituem me gjak,
e kurrkush s’na e fali
tue luftue errësirën
u bamë të vetëdijshëm edhe Na!“

• Të nderuar pjesëmarrës të këtij përurimi,
• I nderuari Rektor, prof. dr. Ramë Vataj,
• Të nderuar prorektorë, Prof. dr. Kadri Kryeziu,
• Prof. dr. Sadik Idrizi e prof. dr. Malush Mjaku,
• I nderuari deputet i Brukselit, z. Amet Gjanaj,
• I nderuari atdhetar, z. Nexhmedin Demiri,
• Të nderuar kolegë dhe studentë të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit dhe ju mysafirë ngado që keni ardhur,
• I nderuari autor i kësaj monografie Prof. dr. Nusret Pllana,
• Të nderuar prizrenas, bashkëluftëtarë, veteranë, invalidë të luftës,
• Të nderuar familjarë të dëshmorëve e të martirëve të marseve të vitit 1981, 1998 e 1999

• I nderuari tubim përurues!
Do të doja që sot në vendet ku ju jeni të ulur, të qëndronjnë këtu në këtë sallë Ukshin Hoti, Xhemajli Berisha, Besim Ndreca, Behajdin Hallaqi, Remzi Ademi, Xhevat Berisha, e Jetullah Qarri, e në vend të rektorit të nderuar, të jenë këtu në mesin tonë edhe Fadil Vata, Jashar Salihu e Kasim Haxhimurati, që mbetën marathonomakë e pëllumba të lirisë, e do të doja që ata sot para nesh t’i flasin këtij auditori intelektualësh dhe akademikësh të ardhshëm të tashëm e të ardhshëm.

Por, ja se jeta i paska ligjet e veta, që ne me shumë vështirësi, por edhe me po aq krenari i përballojmë, sepse në rrethanat normale, të bijtë i përcjellin në botën e amshueshme prindërit e vet, ndërsa në një çmenduri të këtillë me të cilën po ballafaqohemi shumë shpesh nëpër vorbullat e historisë sonë, tash e gjashtë shekuj ne shqiptarët, prindërit që i kemi sot këtu, i përcollën në atë botë bijtë e tyre: Blerimin, Hashimin, Bekimin, Fitimin, Enverin, Muhametin, Hysniun, Sinanin, Sedatin, Isanë, Isakun, Agimin, Ismailin, me më se 250 banorë të Krushës së Madhe, me 125 banorë të Celinës, me 120 banorë të Fortesës, me 50 banorë të Nagavcit, me 65 banorë të Hoçës së Vogël, me 70 banorë të Brestovcit, me 30 banorë të Retisë, Zaçishtit e Apterushës, me 30 banorë të Randubravës, me 120 banorë të Krushës së Vogël, me 130 banorë të Tususit të Prizrenit, me 20 banorë të Landavicës, me 50 banorë të Korishës, me 150 banorë të Therandës e me shumë të tjerë nga Hasi me Has, andej e Has këndej Pashtrikut, prandaj Krusha e Madhe, e Bajram Currit dhe e Ukshin Hotit, gjatë këtyre ditëve u bë Aushvic e shkuar Ashvicit, e neve na mbetet që gjatë leximit të shkrimeve të prof. Nusret Pllanës, ta kuptojmë të kaluarën tonë të hidhur nëpërmjet dëshmitarëve që janë personazhe të shkrimeve e personalitete të jetës sonë politike, e njëri prej dëshmitarëve është “Djaloshi me dy zemra”, djaloshi pa njëzet e një pranvera, pra nëpërmjet Blerim Bajram Nallit, një libër të cilin e kemi përuruar kohë më parë në Prishtinë.

Nusret Pllana, gjatë hartimit të monografive të veta ma sillte imazhin e Odiseut të Homerit, i cili gjatë udhëtimit nëpër botën nëntokësore, pas Luftës së Trojesë, takohet me Agamenonin dhe me luftëtarët e rënë në Luftën e Trojës. Nusret Pllana, në një momnografi takohet me Blerimin të cilin e ka dëshmitar okular dhe narrator të gjithdijshëm prandaj rrëfimet e Blerimit të Bajram Nallit nga Krusha e Madhe e profesor Ukshin Hotit, janë rrëfime në emër të tërë rinisë shqiptare të dërguar në atë botë nga duart e kriminelëve që dëshironin për ta zhbërë Kosovën, vetëm e vetëm që të mos e kalojmë milionshin sepse kështu e kërkonin planet e Garashaninit, Hartvigut, Akademisë dhe Kishës serbe dhe në fund kështu e kërkonte kryekrimineli, kryekasapi Slobodan Milosheviq.

Gjatë rrëfimeve të këtilla, Blerim Nalli, për shembull, në “Djaloshi me dy zemra”, rrëfen për lashtësinë ilire, për kohën e Skëndërbeut, për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, për Lidhjen e Prizrenit, për luftërat e Sulejman Vokshit, për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për Bajram Currin dhe lëvizjen e kaçakëve, për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, për patriotët e shquar të Krushës së Madhe, Nezir Hotin e Isuf Dellovën, për aksionin e mbledhjes së armëve, për demonstratat e vitit 1968, 1981, 1990 e për Ukshin Hotin, për masakrat në Drenicë, për heroizmin e familjeve Jashari, Haradinaj e Lleshi, për këngët e Muhamet Malësorit, të Nazmi Sejfullahut e të Sarandë Krasniqit, për recitimet e Blertës e për vargjet e voglushëve krushjanë se pa Ukshin Hotin nuk vjen liria. Dhe me të vërtetë, edhe ky cep i lirisë që e gëzojmë sot është i mëngët sepse ende nuk e dimë ku i kemi të vrarët, ende nuk dimë gjë për krematoriumet serbe, ende nuk dimë gjë për Ukshin Hotin që mbeti as i gjallë e as i varrosur.
Monografitë e Prof. dr. Nusret Pllanës, pjesëmarrës të nderuar, mijëra faqe tekstesh e mijëra metra celuloidi të filmuar, kanë qindra komente e fjalë të redaktorëve e të recensentëve. Të gjitha këto janë të pajisur edhe me shumë fotografi familjare të martirëve, të dëshmorëve të kombit e të heronjve të cilët Nusret Pllana i pati bashkëluftëtarë të orëve të para të radhitjes në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në Shqiponjën e Fadil Nimanit-Tigrit, Agim, Sadri, Myrtë e Driton Zenelit. Pra, librat e Nusret Pllanës kanë një adresë të saktë të burimeve dhe të referencave, përfundime të shkurtëra dhe shënime për autorin, për prof. Dr. Nusret Pllanën të cilit i shkoi rinia nëpër burgje, e në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në katedrat e universiteteve e tash në fund edhe në fushën e informimit publicistik për t’i treguar botës me shkrime, me libra e me filma se në Kosovë me të vërtetë u bë një gjenocid i paparë dhe sot krushat, prizrenët, gjakovat, qyshkat, izbicat, mbeten aushvica e shkuar aushvicave.

Pra, në shkrime e filma të veçantë të kësaj odiseade nëpër botën nëntokësore ku shtegton profesor Pllana për ta takuar, për ta parë e për ta dëgjuar jo vetëm zërin e Blerimit në blerimin e pranverës, por edhe të shumë blerimëve të tjerë, jetojnë imazhe të tmerrit që na pati katandisur. Këtu janë prekur dhe shpalosur, jo vetëm anët e jetës apo të historisë së një njeriu, aq më pak të një të riu, i cili një ditë pa i mbushur njëzet e një vjet bëhet pjesë e vdekjes që kërkonte liria e kësaj pjese të atdheut tonë, por edhe gjeografia jonë e tkurrur. Po ashtu, në kapitujt e këtyre monografive janë trajtuar dhe realizuar aspekte nga më të ndryshmet, jo vetëm të atij rrafshi si i janë rrëfyer ngjarjet tronditëse. Pra, tërësisht në vetën e parë, si i ka rrëfyer, për shembull Blerimi ngjarjet duke bashkëbiseduar edhe me të tashmen e jetës së tij, edhe me jetën e përtejme të tij, në mënyrë që të shpalohet gjithë dhembja, gjithë rrjedha historike e tragjedisë së Krushës së Madhe e të Kosovës, e cila edhe shpaloset në trajtën e një arkivi që lëshon ujë në formë rubinete dhe prej saj dalin të dhënat për lexuesin e informuar dhe të painformuar për atë se ç’ishim, ç’jemi sot e çka mund të jemi nëse shkelim mbi shenjat e kujtesës sonë historike, nëse na kapin përpara valët e një sëmundjeje që quhet harresë.

Pra, pjesëmarrës të nderuar, e këtillë është jeta, e këtillë është historia dhe e këtillë na doli gjeografia jonë kombëtare në këtë truall që quhet Kosovë e që dita më ditë po na tkurret e po na bëhet lëkurë-shqarthi duke filluar prej Kongresit të Berlinit e këtej, prandaj shenjat e kujtesës sonë historike duhet t’i mirëmbajmë, në të kundërtën e kaluara mund të na përsëritet.

Pjesëmarrës të nderuar
Kjo që po promovojmë sot, është vepër më e re e Prof. Dr. Nusret Pllanës, pas të gjithë atyre shkrimeve duke filluar prej “Radio-Kosovës së Lirë” e dëshmorit Agim Bardh Zeneli nga Shqiponja e Dushkajës e deri te “Djaloshi me dy zemra”, është fryt i një arkivi e i një shpirti erudit të cilin nuk e lodhi as burgu në kazamatet komuniste e serboçetnike, as lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj na mbetet që autorit t’i dëshirojmë jetë të gjatë, pleqëri të lumtur, punë të mbarë në përfundimin e të gjitha ndërmarrjeve që i ka nisur apo që i ka në plan për t’i nisur, bashkëpunëtorëve të Tij t’u dëshirojmë suksese, e Juve të gjithëve gajretin burrëror e kyvetin ashtu siç ju njoh, ashtu siç ju njoha në të gjitha protestat e deritashme, ashtu siç u njohëm gjatë periudhës së Ukshin Hotit, ashtu siç ju njoha gjatë luftës, prandaj edhe dëshiroj që t’i lexoni këto monografi e t’i shihni dokumentarët e prof. Pllanës sepse:

“ Veç nji qëllim i lartë të ban me durue
E zemrën ta forcon.
Ndër kundërshtime s’ vyen kur me u ligshtue
Mjer ai që nuk qëndron!”

• Lavdi të gjithë martirëve anembanë fushëbetejave të trojeve etnike!
• Lavdi të gjithë martirëve të Kosovës!
• Lavdi martirëve të Prizrenit!
• Lavdi dëshmorëve të kombit!
• Zoti ju forcoftë!
Ju faleminderit!

Prizren, 21 mars 2018

Fjala me rastin e promovimit të librit “Intervenimi i Nato-s në Kosovë”

Deri sa e rilexoja librin e Nusret Pllanës, “Intervenimi i Nato-s në Kosovë’’ me qëllim shkrimin e këtij recensioni me rastin e promovimit, ndieja trysninë e trishtimit që natyrshëm kaplon secilin kur lexon e rilexon një tekst që synon të ndriçojë një kapitull të lavdishëm historie të kombit tonë, kapitull ngjarjet e të cilit i kemi përjetuar të gjithë ne, e të cilat ngjarje, deshëm apo nuk deshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në profilin tonë psikologjik. Për më tepër, një ndjenjë të tillë trishtimi vetëm sa e agravon fakti se autori i këtij libri shquhet për botimin e librave e materialeve tjera dokumentare që pasqyrojnë, në përmasa që shkaktojnë trauma psikologjike për njeriun normal, masakrat shekullore që Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve.

Ndonëse i botuar shumë vjet më parë, libri që e kemi në dorë është vepër shumë aktuale që përshkruan të gjitha rrjedhat e ngjarjeve që shpien në çlirimin e Kosovës. Autori, me një stil mbresëlënës, fillon me përshkrimin dhe ndërtimin e një konteksti shumë të gjerë, krejt kjo në funksion të asaj që është tema bosht e këtij studimi, e që është Intervenimi i Nato-s në Kosovë, të zbërthehet sa më mirë nga lexuesi.

Në kapitullin e parë, autori Pllana bën një përshkrim të thuktë të ngjarjeve të fundshekullit të XX, më konkretisht Fundin e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e BRSS-së, duke përshkruar përballjen e politikave të Reganit e Gorbaqovit dhe rolin e tyre në ngjarjet dhe zhvillimet ndërkombëtare, të cilat zhvillime më pastaj do të jenë vendimtare për formatin politik, ekonomik e ushtarak të globit.

Siç edhe pritet nga një studiues serioz, sikundër është z. Pllana, ai me përshkrimin që i bën Paktit të Varshavës dhe veprimtarisë së tij në kapitullin e parë, ndërton kontrastin e nevojshëm që ndihmon shumë për të vënë në pah mjaftueshëm akterin tjetër kryesor ndërkombëtar, që është boshti kryesor i studimit, pra NATO-n.

Shpërbërjen e Jugosllavisë, autori, duke i mbështetur tezat e tij edhe në tezat e disa autorëve të tjerë ndërkombëtar, përveç konflikteve të shtresuara etnike, ia atribuon edhe rënies ekonomike. Duke vazhduar përshkrimin kronologjik, gjithnjë në funksion të ndërtimit të kontekstit sikundër u tha më lart, autori shtjellon arsyeshëm fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, masakrat në Bosnje, Kroaci etj. Po ashtu, brenda këtij kapitulli përshkruhet edhe zbarkimi jo fort i lavdishëm i trupave të huaj në Bosnje në kuptim të parandalimit të masakrave, disa nga të cilat edhe u kryen në mënyrën më mizore edhe në praninë e këtyre forcave të huaja.

Kapitullin e II, autori e fillon me një përshkrim të gjendjes në Kosovë pas përfundimit të Luftës së II Botërore, për të vazhduar me demonstratat e vitit ‘81, të cilave autori ia atribuon rolin qenësor në çarjen e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos dhe po ashtu ua atribuon edhe rolin e sprovës për Evropën për sa i takon çështjes së vetëvendosjes së popujve e barazisë së popujve. Përshkrimi i ngjarjeve rrjedhë natyrshëm me gjendjen gjithnjë e më të rënduar në Kosovë, heqjen e autonomisë, themelimin e partive të para postkomuniste etj.

Kapitullin e III autori Pllana e hapë me përshkrimin e, ta quajmë, komponentit të dytë të studimit të tij, atë të NATO-s. Edhe këtu autori tenton që kronologjikisht, shterueshëm e në detaje, të përshkruajë sferën ndërkombëtare dhe NATO-n si pjesë e kësaj sfere. Një përshkrim i tillë detaj i ndihmon lexuesit t’i zgjerojë njohuritë e tij përkitazi me këtë formacion politik e ushtarak, që u ka dhënë udhë shumë rrjedhave politike e ushtarake që nga themelimi i saj, gjatë Luftës së Ftoftë dhe pas saj, e deri në ditën kur po flasim. NATO gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe deri në kohën e rëniës së Murit të Berlinit, u bë kuadri kryesor institucional i zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet aleatëve perëndimor, i cili kishte për synim të vetin kryesor dobësimin e Bllokut Lindor.

Mbarimi i kësaj lufte (Luftës së Ftohtë) krijoi një ambient tjetër politik, ushtarak e strategjik, që u përcoll me krijimin e orientimeve dhe qasjeve të reja në fushën e sigurisë, e që mundësoi ndërrimin e perceptimit rreth rreziqeve të mundshme dhe përgjithësisht sistemit të sigurisë.

Fundin e kapitullit të III, autori e rrumbullakëson me përshkrimin detaj të ngjarjeve dhe dhunës së shfrenuar të pushtetit serb e po ashtu edhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kapitullin e IV përsëri kronologjikisht përshkruhet Kosova gjatë kuvendeve të ndryshme botërore,si Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Versajës, Parisit, Dejtonit, dhe po ashtu përshkruhet lëvizja e çështjes së Kosovës gjatë viteve ’90, si Konferenca e Hagës, Samiti i Romës, Brukselit, Uashingtonit, Rambujesë etj.

Kapitullin e V, autori e nisë me një referencë të ndërhyrjes humanitare që në shekullin e XIII te Toma Akuini, për të vazhduar te studiuesit e mirënjohur i të drejtës ndërkombëtare, Hugo Grosi dhe Openheim. Këtu ai u referohet edhe grupeve të tëra studiuesish përkitazi me llojin e intervenimit humanitar dhe mënyrës dhe kohës se si dhe kur ai duhet të bëhet. Gjithashtu, në këtë pjesë, ai bën sqarimin e gjerë lidhur me Konferencën e Rambujesë, Intervenimin e Nato-s dhe spastrimin etnik me përmasa biblike, të paparë në këtë pjesë të Evropës që nga Lufta e II Botërore. Kapitullin e përshkon një nxjerrje e tillë detajesh pothuajse në formë ditari për gati secilin aktivitet të UÇK-së në terren, selinë e NATO-s dhe çështje të tjera që shuajnë kureshtjen e lexuesit për një periudhë sa të dhimbshme, aq edhe krenare të historisë sonë.

Kapitulli VI përmbledhtazi në formë rekapitullimi përshkruan edhe njëherë gjithë materien bazë që përbën strukturën bosht të librit, dhe po ashtu përshkruan edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovën e pasluftës.

Shikuar nga prizmi i një vlerësuesi objektiv, rëndësia e këtij libri që po e promovojmë sot del të jetë jashtëzakonisht e madhe, dhe atë për shumë arsye. Autori i këtij libri ka qenë edhe vet akter në Luftën Çlirimtare, madje në një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm të saj, atë të informimit. Informimi përkitazi me zhvillimet gjatë luftës çlirimtare mund të themi lirisht se ka luajtur rol kyç në përcaktimin e shumë rrjedhave, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës.

Pikërisht për këtë fakt, pra për faktin e autorit-protagonist, ky libër mund të themi se nuk është i zakonshëm, duke qenë se bartë me vete edhe gjendjen psikologjike e shpirtërore, tundimin dhe ndërgjegjen e tij. Një privilegj i tillë, mund ta ketë vetëm autori- protagonist, sikundër është rasti i Nusret Pllanës.

Buzë këtij privilegji qëndron edhe rreziku, që-, pothuajse, pashmangshëm e përcjell autorin-protagonist, - të rrëshqasë në ndonjë subjektivizëm, i cili në këto raste, duke e njohur përmasën tragjike të rrugëtimit tonë historik, është i mirë kuptueshëm dhe nuk e zbehë vlerën autentike të këtij studimi.

Veprat e tilla, zakonisht, sikundër e ka përmendur edhe vet autori, shkruhen pas një distance kohore me ngjarjet, por duhet të thuhet se guximi i autorit për të shkruar edhe kur kjo distancë nuk është ajo e duhura, meriton të çmohet meritueshëm.
Së bashku me distancën kohore nga ngjarjet që janë materie e këtij libri, besoj fort se do zhvillohet motivi i autorit,- sepse guximi besoj nuk ka munguar e nuk mungon as sot-, që ta kundrojë me një dioptri më kritike historinë tonë politike, e cila dioptri kritike është indikator i maturimit tonë politik e shoqëror. Një ribotim i përplotësuar dhe i pasuruar edhe me këtë dioptri, do të rrisë edhe më cilësinë e librit dhe njëherit do të bëjë që kjo vepër të jetë e patejkalueshme lidhur me këtë periudhë historike për brezat që vijnë.

Prof. asoc. dr. Fahredin Shabani
Universiteti ,,Ukshin Hoti”
Prizren
Prizren, më 21 mas 2018

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 1,101 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi