Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NJË TAKIM I PAHARRUAR ME ATDHETARIN DUKAGJINAS AHMET SALIH SHATRIN
Publikuar më 07 dhjetor, 2019 në orën 23:51 ( ) Fadil Shyti | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Një miqësi e pandërprerë idealesh midis dy trimave të lirisë, Ahmet Shatrit dhe Hajzer Shytit pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare (LANÇ-re,në Tregun e Ri ish-Novi Pazar). ​

Në vitin e lavdishëm 1981, gjegjësisht në vjeshtën e atij viti gjatë një bisede me gjyshin tim, Hajzer Tafa Shyti, derisa po më fliste për të kaluarën heroike të LB-re, në veçanti, me një pëkushtim të madh shumëherë më fliste për luftën e Komandantit trim, Shaban Palluzhës të cilin si shumë bashkëluftëtarë të tij, e quanin "Shaban Shypnia", më fliste dhe për betejat e ushtarëve të tij. Krejt papritur plaku 80-vjeçar nga gjoksi e nxori një klithmë; eeehhh mor bir, se ç´më janë këputur këto këmbë të shkreta se qe besa, këto ditë do të shkoja tek një mik i vjetër në Tomoc të rrethit të Istogut. ​

Ishim shokë në ushtri kur ishim të rinj, duhej kryer atë të zezë ushtri në kohërat e krajlovinës serbe; me atë burrë trim isha në Suboticë në vitin 1924. Me të na bashkon edhe një dëshirë jona,-ju të rinjtë do të thoshit: ju bashkon një sport. Po, po, ashtu ishtë: sporti kalorisak, në ushtri ishim kalorës, pasi ia morëm dorën kalorësisë, edhe pasi e kemi kryer ushtrinë, qe besa rrallë kemi qenë pa atllarë; (pa kuaj të shalës). ​
-Pastaj, nuk i kemi ndërprerë lidhjet me zemrat tona,-siç tha ai; unë do të thosha nuk i kishin ndërprerë lidhjet shpirtërore. ​
Po, pastaj shtoi: qe besa vajtje-ardhjeje të shpeshta nuk kishim; sepse, o biri im ishin kohë të vështira; ai u burgos, për shumë vite, nga regjimi i Titos, familjen ia kishin internuar në Banatë. Pse e patën internuar e pyeta me keqardhje,-sepse, nga dhuna policore që bënte regjimi ndaj asaj familje, një djalë i tij, quhet, Sali Shatri ka dalë herët në Shqipëri. Atje, pasi ka kryer shkolla të larta nga pushteti popullor i Enver Hoxhës, ka marrë detyra me rëndësi, ka marrë poste të udhëheqjes në policinë e shtetit shqiptar. ​
Flitej në popull besa që, as fort rehat nuk ka ndenjur,-siç themi ne "duarkryq", për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera nga okupimi jugosllav. ​
Ai, bashkë me shokët, Sherif Tërstenën nga katundi Tërstenë, Shalë e Bajgorës, Ajet Haxhiun nga katundi Vaganicë, rrethi i Mitrovicës e shumë atdhetarë të tjerë, në vitet 50-ta, e kanë kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar, kanë kryer ca aksione guerile duke i goditur çetnikët kriminelë në pushtetin e Tito-Rankoviqit, pastaj, kanë kaluar andej kufirit.... ​
-Regjimi jugosllav, duke mos pasë mundësi t´i godas ata, i ka persekutuar shumë nga familjarët e tyre.
Burgjeve është përplasur edhe familja e Ajet Haxhiut, babai i tij, Muharremi ka vuajtur shumë burgjeve jugosllave.
Derisa, po më tregonte për ato krajata të tyre gjyshi im; mua m´u kujtua ky fakt që më pat lënë mbresa të hidhura; kur e pata lexuar në ilegalitet librin e tij historik, “Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1968, autori i librit Ajet Haxhiu, shkruan: "Kushtuar babait tim Muharremit, të cilin burgjeve në tortura, pa sy e lanë".​
-Qe besa,-vazhdoi më tej gjyshi im; as mua dhe familjen tonë regjimi i serbit me shkijë, (shkijë i quanim ne të dy, tradhëtarët), nuk na patën lënë kurrë rehat!? ​
Pas mbarimit të luftës, jam burgosur disa herë, për shkak se kam mbajtur ilegalë në odë, që kishin mbetë ende maleve tona, pra nuk ishin dorëzuar tek pushteti i Titos; sepse, isha në luftë me dy vëllezërit e mi; me Muharremin i cili ra dëshmor në Dezhevë (1942) po, edhe me Kamerin i cili në atë kohë ishte i ri; luftuam me ushtritë e Drazha Mihajloviqit dhe të Titos; përkrah Shaban Palluzhës i cili e kishte mbështjellë në Plis, Flamurin Kuqezi dhe qe besa na printe i pari, ku ishte rreziku më i madh.​
Komandant lokal e kishim Hazir Xhakën ushtarë të tij ishim shumë bashkëfshatarë të tjerë që i pata rekrutuar në ushtrinë tonë popullore; Ismet Ashlanin-Tahiri, Isuf Imerin dhe Nasuf Imerin kushërinj tanë, Latif Hysenin, dëshmor, Avdyl Avdiun, Kajtaz Ferizin, Feriz Sheremetin e shumë të tjerë. Qe besa biro,-tha plaku; luftëtarë kishte edhe nga të gjitha viset e Kosovës; nga Skënderaji, Drenasi, Prizreni, Raveti (ish-Rahoveci), Besiana ish-Pododujeva, Theranda,ish- Suhareka, Istogu, Peja, Deçani, Gjiilani, Mitrovica, Vushtrria e nga qytete të tjera. ​
-Ja, pra, pse lidhjet tona të forta të luftës dhe të punës, ne nuk i shkëputëm, por vizitat duhej rralluar, sepse, " Uji fle, hasmi s´fle"-thotë populli ynë.​
-Por, edhe për një arsye tjetër, që është shumë me rëndësi, këtë po ta them ty: për faktin që Ahmeti ishte me troje jo fort larg kufirit me Shqipërinë, ne duhej ta kishim një vend të sigurtë të bënim "komitllak" pra, të kishim aty një vendstrehim të përkohshëm, (jatak) që të shkonim andej Drinit, ata shokë e njohin terrenin dhe mund të kalonim në Shqipëri. ​
-Po, siç theksova më lart; kur gjyshi e shprehu dëshirën që do të shkonte në Tomoc, por...,-unë, u ndjeva keq. Krejt papritur më shkrepi mendimi i ndritur; gjyshit tim mjekërbadhë, iu drejtova me këto fjalë: "Hë, si thua mor bablok, unë mendoj që kjo vizitë kryhet lehtë prej meje; nëse ti pranon, po shkojë unë, pasi t´i tregoj Ahmetit kush jam, nga vi dhe kush më ka dërguar tek ti; qe besa po ia dërgoj të falat tua dhe po e përqafoj si xhaxhin tim, në emrin tëndë. Plakut i shkrepi fytyra nga gëzimi, po, pse jo mor bir?! Kjo për mua është kënaqësi, më duket pothuajse sikur të shkoja vetë. Veç kujdesu, për këtë vizitë atje, mos e fol me askë! Rrugës, nëse të pyet dikush, ku je nisë mor djalë,-thuaj jam duke shkuar në Pejë. ​
U tha, u vendos, fatmirësisht u bë!​
Nga mesi i Tetorit të vitit 1981, menjëherë vendosa të nisem drejt katundit Tomoc.
Pastaj, u konsultova me gjyshin për mundësinë që, të shkoja me bashkëfshatarin tim, me një shok që fëmijëria, me të cilin prej kohësh po bënim edhe ca punë të mbara edhe në veprimtarinë ilegale, quhet Fevzi Beqiri. Plaku duke e njohur Fevziun për djalë të mirë dhe të besnik më tha; po, mund të shkoni bashkë. ​
Me Fevziun e caktuam ditën e nisjes, vendosëm të shkonim me autobus. Rrugës kaluam fort mirë dhe zbritëm afër katundit të bukur, Tomoc. ​
E morëm një rrugicë,-siç më kujtohet; rruga e katundit drejt kullave të Ahmetit, ishte bri maleve, lisat i jepnin asaj rrugice një bukuri të rrallë vjeshtore...​
Ne, duke mos e ditur cila ishte kulla e Ahmetit e pyetëm një kalimtar të rastit; nuk e patëm zor ta gjenim, ai na tregoi me dorë, ja, ajo kullë që po nxjerë tym nga oxhaku, është kulla e Ahmet Shatrit. U gëzuam që e gjetëm kullën e atij trimi dhe për faktin që, tymi që dilte shtëllunga-shtëllunga nga oxhaku,-faktikisht sikur simbolizonte gjendjen e rëndë të atij viti kryengritës dhe njëkohësisht e pasqyronte gallërinë dhe revoltën e flakës shqiptare.​
-Me ato ndjenja frymëzimesh djaloshare, u gjendëm tek dyert, e kullës, menjëherë pas thirrjes sime goxha me zë të lartë,-ashtu më kish porositur plaku të thërras: ​
Oooo, Ahmet Shatri, a doni musafirë, oreee! ​
-Ashtu i pëlqente plakut tim, me thirrë në derë, si dukur në motet e mëdha. ​
-E dëgjuam një zë i fortë burri: Oooo, mirësevini ore! ​
-U hap dera, Ahmeti një burrë kreshnik, e shtriu dorën e bardhë të mikpritjes prej malësori shtat-hedhur,-bash sikur të ishte vëlla me Isa Buletinin. ​
-E njoftuam kush jemi, të dërguarit e kujt jemi; plakut Ahmet, i qeshi fytyra. ​
Eh!... ​
Po, gjallë qenka, Hajzer Tafa, a?!!! ​
E kisha dhe e kam shok për për kokë, Hajzerin qe besa. ​
Ejani shkojmë në odë,-tha, na priu duke u ngjitur shkallëve në shkallën e dytë. ​
-Hymë brenda, e filluam bisedën krejt të lirë, sikur të ishim disa herë në odën e tij tradicionale. ​
Më kujtohet se, u kënaqëm fort, kur e pamë mbi faqen e televizorit plaku e kishte vu bustin e Bajram Currit; ndërsa më lart në mur, si Shqipo qëndronte fotografia e Sali Ahmet Shatrit, ishte dalë me rroba ushtarake, me automatikun maje krahut, në pozicionin horizontalisht në brez, me kapelën me yll në ballë; qëndronte krenarë, sikur na thoshte: Kosova, është Shqipëri, kësaj pjese të saj, kishte dhe ka kush i del zot!...​
Me plakun bujar Ahmet Shatri, biseduam vëllazërisht, sinqerisht dhe atdhetarisht. ​
-Kanë kaluar kaq vite dhe tash këtu do të përpiqem t` i përkujtoj që t´i theksoj mbresat tona, ato nga më kryesoret. ​
Pasi nikoqiri evokoi ca kujtime nga e kaluara e tij në ushtrinë e huaj me plakun tim, pastaj, na foli për të kaluarën e tij në burgje. Për internimet familjare etj; ishin kujtime mjaft të hidhura, por edhe krenare. ​
-Biseda erdhi natyrshëm, tet situata që po kalonte Kosova atë vit, për demonstratat studentore, 1981, për ato demonstrata që i lëkundën themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese avnoj-iste; ne si shumë të rinj e të reja atdhetarë/e, ishim propogandues të zjartë, ideologë prej vitesh për çlirim kombëtar dhe pjesëmarrës aktivë. ​
Plaku tha: "Bijtë e mi, gjendja nuk është aspak e mirë. ​
Shkjau, nuk e lëshon lehtë Kosovën, po qe besa, as ne shqiptarët nuk e kemi ndërmend të pajtohemi me robërinë! ​
Këto punë të mbara nuk janë nisë tash e kësaj pranvere, 1981. Rezistenca jonë kundër shkjaut pushtues, ka filluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas ikjes të nazi-fashistëve italianë dhe gjermanë, në luftën e Shaban Palluzhës dhe shumë çetave çlirimtare në Kosovë dhe në troje të tjera shqiptare. ​
-Ka vazhduar më tutje, me demonstrat e rinisë studentore më 1968, të organizuara nga Adem Demaçi me shokë, pra, mos të harrojmë se, të gjitha këto pak përparime, këto pak të drejta i kemi fituar nga përpjekjet tona.​
Titoja as LKJ-ja, asgjë nuk na dhanë falas, pa djersën dhe gjakun tonë". ​
-Pasi i fola që isha në dijeni për persekutimet dhe internimet e familjes të shatrajve, ay na foli shkurt edhe për ato vite, nuk u ndal gjatë te fati i hidhur për internimin e familjes të cilën e përshkroi me pak fjalë: atje kemi hequr shumë qe besa. Pastaj, na tha një ngjarje shumë mbresëlënëse, që kishte ndodhur që, për kohën rrëfimi dëshmi besnikrie ishte tepër i besueshëm dhe i guximshëm.​
-Këtu, në këtë odë, ishin Ajet Haxhiu dhe Saliu, djali im. Ata, pasi kishin kryer ca detyra në Kosovë, ishin duke u këthyer në Tiranë. Dikur vonë, papritur i dëgjuam ca zëra dhe ca trokitje, ishin musafirë të panjohur, po trokisnin në dyer të oborrit. Djemtë i kapën armët, u pozicionuan në gjendje gatishmërie, me vete kishin atutomatikë dhe bomba që i mbanin nën guna dhe revolet në brez. Pritni, mos hapni zjar,-ju fola djemëve; po flas unë njëherë me´ta. U pajtuan. ​
-Dola në verandë të kullës, me zë të rreptë thirra; kush jeni ju, që më trazoni familjen kaq vonë?! ​
Jemi ne të stacionit të milicisë trë rrethit,-u përgjigjën. ​
Po pse keni ardhur në këtë kohë, kaq vonë ore?! ​
Dëgjo, Ahmet, foli Komandandanti i tyre, kryemilici serb; të cilit plaku ia tha emrin por, (mua tash emri i atij armiku, nuk po më kujtohet); ne jemi në dijeni që, këtu janë Saliu yt bashkë me një shok të tij, ne kërkojmë prej teje t´i dorëzosh ata!... Përgjigjen ia ktheva shpejt: ju mor ztr, jeni të njoftuar gabim, dikush ka dashur t´u nxjerë probleme juve dhe mua, ndaj ju çojë këtu, kot së koti!?...​
-Këtu nuk janë ata, që ju po i kërkoni, por, nëse doni të ktheheni mirë kah keni ardhur, mos bëni asnjë hap përpara, nuk ju lejoj të hyni natën në kullën time, që t´ma trazoni familjen.​
Ju paralajmëroj,-çkado që të ndodhë më tutje, përgjegjësinë për rreziqet, do ta keni ju!​
Ata, si duket e nuhatën gjendjen. ​
Shushëritën diçka midis tyre dhe na lanë lamtumirën. ​
Qe besa, aty ishim në rrezik; djemtë vendosën të luftojnë; por, nuk erdhi deri aty pasi ata ikën pa provuar të hyjnë brenda.​
-Dhe, më kujtohet kur na foli për gjendjen, pasi ne i treguam që ishim në demonstratë dhe në vitin 1979, ishim në RPSSH, në Tiranë e patëm takuar Ajet Haxhiun, por jo edhe Saliun. Mësa më kujtohet, ato ditë Saliu kishte qenë me detyrë në Kukës, jo në Tiranë,-them kështu, sepse kur e patëm pyetur Ajetin për të, i shprehëm dëshirën tonë që ta takonim edhe atë; ay na pat treguar. ​
-Po, tha plaku. Lidhjet me ´ta, nuk i kemi të shkëputura. Pastaj, shtoi përsëri: siç po shihet situata është destabilizuese; ju baco, pasi iu keni hyrë këtyre punëve të mbara, një gjë mos e harroni; nëse ju burgosin mbahuni fort, ruani shokët dhe shoqet, mos i jepni pra,-sa më larg larg emrave të tyre. ​
-Dhe, mbahuni fort pas deklaratave të para në hetuesi. ​
Ato fjalë që do t´i thoni në fillim, mbroni me çdo çmim, edhe nëse ju torturojnë, qëndroni deri në fund, sepse po ndodhi ndryshe që ju t´i ndërroni deklaratat, ata janë të pamëshirë, ju torturojnë shumë, pastaj zbulojnë ato çka duan prej jush... ​
Dhe, shih! ​
Pikërisht, këto këshilla të arta të tij, na ndihmuan shumë, kur ne bashkë me gjashtë shokë dhe shoqe të grupit tonë që ishim në RPSSH , vetëm pas dy javësh tetë veta studentë dhe studente, na arrestuan më 2 Nëntor, 1981.​
-Pak ditë para nesh e patën arrestuar shokun tonë, Sabri Haxhiun, nipin e Ajetit të cilin e dënuan 6 vite burg. ​
Ne të tjerëve, në mungesë faktesh na liruan, atëbotë unë u dënova një muaj, për propogandë armiqësore kundër shtetit jugosllav, për një fotografi të gjeniut, Enver Hoxha dhe për një përmbledhje poetit kosovar, Agim Gjakova, i cili tëbotë jetonte në në RPSSH, poema quhet,
"Kjo është Shqipëria".​
Në atë poemë patriotike , poeti këndonte me dashuri të zjartë për Nënën Shqipëri dhe shkruante me revoltë të theskuar kundër armiqve dhe tradhëtarëve të atdheut, në veçanti shquhej për urrjetjen e ligjshme ndaj pushtuesve jugosllavë.​
-Pas asaj bisede të paharruar me trimin dhe kalorësin e Shaban Palluzhës, pasi morëm leje, ikëm; ay doli e na përcolli tej një rrëzë mali, ia përcolli të falat e përzemërta plakut tim; gjatë përcjelljes na la përshtypjetë thellë qëndrimi i tij në këmbë, që e kujtojmë dhe pas kaq vitesh; ay plak Plisbardhë, trim dhe vigjilent, nuk iu kthye të hynte në kullë, na përshëndeste me grushtin lart, derisa ikëm, u fshehëm pas malit.​

Ne, në mbrëmje u kthyem në Istog, ishim musafirë tek një nip yni atdhetar, quhej Sahit Maloku.
Ne ishim aty, por nipin rebel, se gjetëm aty. Para pak ditësh, Sahitin e kishin burgosur për pjesëmarrje në demonstrata. ​
Aty, dëgjuam një dëshmi rrallë atdhedashurie që s´e harruam kurrë; lexues të nderuar, po ju rrëfej: Sahiti, e kishte një djalë pesë vjeç, kur pyeste djaloshi, ku është babai, nëna e tij dhe familja i thoshin, babai shkuar në vizitë në Shqipëri,-pse i thoshin ashtu?! I thoshin sepse, kur e kishin arrestuar, Sahitin ky iu kishte thënë familjes; djaloshit thoni mos u mërzit hiç për babain se, këta 2 muaj, babai është në Shqipëri, sepse, për ribashkimin e Nënës Shqipëri me Kosovën e Viset të tjera shqiptare po shkoj në burg. ​
Kjo, vërtet na emocionoi shumë atë natë. ​
Aty, kaluam fort mirë, patëm pritje vërtet të mrekullueshme, me bujari të theksuar tradicionale.
-Të nesërmen u kthyem në Mitrovicë. ​
Gjyshi na priti me kënaqësi të papërshkruar, pasi i treguam për bisedën me Ahmetin, për vizitën në familjen atdhetare të nipit tonë. ​
Të lumtë biri im, më tha, më plotësove një dëshirë të madhe. ​
I lumtë edhe Fevziut, që pa pritesë erdhi, me ty të shoqëroi.​

Pak biografi të familjes Shatri dhe foto, Ahmet Salih Shatri, 1978

-Luftëtar i dalluar ishte edhe Ahmet (Salih) Shatri nga Tomoci i Istogut, nga njëra ndër familjet më në zë të Podgurit që i kishin dhënë besën Isa Boletinit se do të luftonin gjithmonë kundër armiqve të kombit dhe këtë besë e mbajtën deri në ditët tona.​
Ahmet Shatri, bashkë me vëllaun Veselin, djalin Salihin dhe djemtë e vëllezërve, Eminin, Idrizin dhe Sejdinë dhe bashkëvendës të tjerë luftoi me pushkë në dorë për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare në Petnicë, në Pazarin e Ri, në Kolashin, Starçeviq, në Rozhajë, Ribariq, Çakorr, Kacuberr dhe kudo ku e thërriste atdheu. Prandaj, organet e pushtuesit serb e burgosën dhe e dënuan me burg shumëvjeçar, kurse familjen ia internuan në Banatë.​

BRAHIM SALIH SHATRI​
Njëri ndër burrat më të shquar të Podgurit dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka qenë padyshim Brahim (Salih) Shatri (1884-1961).
Ai ishte 40 vjet kryeplak i fshatit dhe pleqnar i njohur.
Në kohën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë (1941-1944) bashkë me Bardh Isufin e Arbanës (ish-Orrobërdës), Llesh Gjon Lleshajn e Zllakuqanit e burra të tjerë ishte anëtar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve (Islihatit) për nënprefekturën e Istogut, veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë (1943-1944). Brahim Shatri i mbeti besnik deri në fund vendimit të këtij Kuvendi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. ​
Në korrik të vitit 1945, në Prizren, bashkë me Ramiz Cërnicën e disa të tjerë ai kërkoi haptazi që Kosova të shkonte me Tiranën dhe jo Beogradin. ​
-Fjalët e tij, “pse të shkojmë me njerkën, kur e kemi nanën”, kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e popullit të Rrafshit të Dukagjinit. ​
Për këtë përcaktim të vendosur, plakun mjekërbardhë e qortuan fort disa shqipfolës nga struktu-rat politike të Istogut dhe të Obllastit, e shpallën reaksio-nar e bashkëpunëtor të pushtuesit dhe e ngujuan në kazamatin e Nishit. ​
Me kujtohet se, kur vinte musafir dhe e nderonim shumë e kishte zakon të thoshte:
‘’N’vene të tjera me thonë Brahim Aga, kur vi n’Podgur m’thonë Brahim Burri, kur hy n’katun tem me thonë Brahim Salihi, e kur t’mrri n’mahallë te njerzt e mi ma t’ngatë më thonë: erdh Brahim Topalli.​

Familja e Sadikrexhëve
Nga familjet më në zë e më të mëdha të Istogut me rrethinë ishte ajo e Sadikrexhëve. Kjo familje atdhetare ka qenë në shënjestër të pushtetit serb që nga viti 1912. ​
Disa meshkuj të kësaj familje, përfshirë edhe të zotin e shtëpisë, Sadik Rexhën ranë fli e terrorit gjakatar të bandave të Miliq Kërstiqit.
Gjatë viteve 1941-1944 Halil Osmani i Sadikrexhëve me thirrjen imamin e Istogut, haxhi Jahja Dacini shte në ballë të forcave vullnetare të Istogut që luftonin për mbrojtjen e trevave etnike shqiptare që nga Plava e Gucia, Pazari i Ri e deri në Kolashin. ​
Pas ripushtimit të Kosovës, përkatësisht në dhjetor të vitit 1944, Haxhi Jahjanë e likuiduan mizorisht, kurse familja madhe e Sadikrexhëve pas disa vitesh u detyrua të shpërngulej për në Turqi.​

HAJZER TAFA SHYTI​
(1900- 1986)​

HAJZER TAFA SHYTI​ (1900- 1986)​
15 QERSHORI 1986 NJË DITË ZIE PËR MUA DHE FAMILJEN TIME, SHYTI!?​
Më dat. 15 Qershor, të vitit 1900 gjyshi im Hajzer Tafa Shyti, e pati ditëlindjen, u rrit në odën e babait të tij, nën tiungujt e lahutës, Mustafa,
-siç tregonin të parët e mi; ishte burrë shumë bujar, ishte atdhetar, ish- ushtar i Hasan Prishtinës.​
Hajzeri, pas një jetë tejet të të bujshme me hidhërime e gëzime në punë të mbara, kur u burrërua mori pjesë aktive në Luftën Çlirimtare të ”Shaban Shypnisë”,–siç e quante Ay, kur fliste me bashkëluftëtarët e tij për komandantin trim Shaban Palluzhën, ishte një besnik i tij, në luftë përkrah me dy vëllezër, Muharremin dhe Kamberin.​
Muharremi, në vitin, 1942 ra dëshmorë në Dezhevë –të Tregut të Ri –(ish-Novi Pazari). ​
-Vëllezërit e tij e vazhduan më tej luftën gjer në përfundimin e saj në shkurtin e vitit 1945. ​
Kur Kosova ra në robëri ”të re”, nga krajlët e Serbisë e të ish-Jugosllavisë, atdhetarët kanë vepruar në forma të ndryshme.​
Gjyshit tonë, OZNA- ia hapi varrin, deshi ta vriste natën që a fshinte nga faqja e dheut si shumë atdhetarë "pa nam e pa nishan" , ishte viti famëkeq 1947 –e ashtuquajtura ”Trojka” –nuk donte me lënë shqiptarë atdhetarë mbi dhe. ​
Vetëm fati në fatkeqësi e shpëtoi!...​
Ishte mik dhe besnik i patundur me NDSH-istët, -për të cilët më ka folur për lidhjet dhe veprimtarinë me ata shokë të besës e të lirisë:
Hazir Xhakën, (ishte njëri ndër ata 7 komandantët e Shaban Palluzhës); u vra më 1947 nga bandat kriminale serbo-fashiste në katundet e rrethit të Mitrivicës, Ismet Ashlanin (Tahirin), i cili në moshën 17 vjeçare kishte hyrë në luftë me aradhat çlirimtare, ishte besnik i rrallë i gjyshit tim- si vëllai më i dashur i tij. ​
Ismeti, kishte luftuar përkrah me Muharremin në Dezhevë. ​
Ay, tregonte, sesi Muharremi kishte ra me armë në dorë, pasi Muharremi i kishte dalë në dyluftim dhe e kishte eliminuar një çetnik në mëngjesin e asaj dite , pastaj rreth orës 14.00 kur duke iu hedhur bomba çetnikëve, si kishte ra kryedetyrës bashkëluftëtari i tij. Ismeti, vdiq më 1985. ​
Isuf Ymerin-Shytin, i cili më vonë u keqtrajtua shumë gjatë mbledhjes së armëve (1956) , si pretekst për faktin që UDB-ja serbe dhe këlyshët e saj shqipfolës e njihnin se ishte një burrë i fjalës dhe patriot, e dinin se kishte luftuar në luftën çlirimtare.
Avdyl Avdiun, të cilin kur UDB-ja, e thirri për bisedë informative që t´i dorëzonte armët, në natën e tmerrit kur milicia serbe i rrahu shumë bashkëfshatarë tonë, ai hyri në ilegalitet, nuk i dorëzoi armët e tij të luftës.​
Latif Hysenin, dëshmor i atdheut,–ish-këshilltar i Kryetrimit;Shaban Palluzha, Kajtaz Ferizin e shumë të tjerë. ​
Ndërsa, nga rrethet tjera ishin bashkëluftëtarë me Niman Rexhën, Bahtir Rexhën, Iljaz Rustemin, (i njohur si Iljaz Kulla. ish-katundi Kollë) Latif Ahmetin, Ibrahim Lutfiun, Ilmi Zariqin, Ali Morinën, Bislim Bajgorën, Ahmet Selacin, Ymer Selacin, Qerim Shabanin, Deli Shabanin,
Ajet Gërgurin, Ajvaz Mehanën e shumë të tjerë që s´mund t´i njehi…​
-Kamberi, qëndroi tërë jetën përkrah vëllait, “Bacit” të tij, vdiq më 1991.​
Gjyshi im i nderuar në vitet 70-ta, përkrah me vëllain e tij Kamberin, me kushëririn Isufin, Ismetin, e të tjerë..,-ishin pajtimtarë të gjaqeve në rrethin e Vushtrrisë.​
Kushëriri im, Mustafë Shaqir Shyti, dëshmor i atdhut.
(10.10.1945 – 22.9.1998)​
Ay, në vitet 70-ta, për t´i dhënë jehonë pajtimit të gjaqeve në gazetën "Rilindja", e pat shkruar një shkrim për këta burra të truallit tonë,
-Gurbardh, ish- Ashlan; Vëllezërit që pajtojnë gjaqe”.​
-Më kujtohet që midis tjerash, pat shkruar, (po e parafrazoj), kështu:
”Për faktin që pushteti në komunën tonë, nuk po bën sa duhet për t´i ndaluar gjaqet, një grup burrash besnikë të këtij populli,–kanë vendosur të pajtojnë gjaqet, me urti e trimëri t´i mbyllin këto plagë shekullore; vëllezërit Hajzer dhe Kamber Tafa-Shyti me përkrahësit e tyre kanë arritur t´i pajtojnë 32 gjaqe, shumë plagosje e ngatërresa në rrethinën tonë e më gjerë".​
Vitet po kalonin, pleqëria po vinte po e rëndonte përditë e përvjet e më shumë plakun e maleve tona, ithtarin e flaktë të Haxhi Zekës, Bajram Currit e të Hasan Prishtinës,-e mbajë në mend,–si sot, që, fotografitë e heronjve tanë legjendarë i barte në xhepat e setrës së tij;-ndërsa në brez nën shokën me ngjyrat bardhë e zi të tierqve me 32 fije të zeza gajtani,-simbol i robërisë,–si vet jeta; ndër vite,-zakonisht e kishte një revolver, apo një thikë, i barti gjitmonë me vete “që, kurrë t´mos ia hajë qeni shkopin”,-të ruajtura nga lufta, i kishte ato "dhurata", për armiqtë dhe tradhtarët.​
Pas një jete të gjatë vuajtjesh qëndrese dhe krenarie; për faktin që bashkë me shumë trima të moteve të mëdha, kishte qëndruar i papërkulur përballë armiqve dhe tradhtarëve, në burgje dhe llogoret luftës, në pleqëri të thellë, në mëngjesin e 15 Qershorit 1986, pushoi së rrahuri zemra e tij e zhuritur atdhetare për ta parë Kosovën e Shqipërisë dhe Viset tjera shqiptare; të lira, të barabarta, të përparuara e të ribashkuara.​
Lavdi jetës dhe veprës së gjyshit tim të paharruar, atdhetarit të përkushtuar, prej të cilit i mora mësimet e para të atdhedashurisë, të shqiptarisë dhe edukatën e madhe të njerëzisë!​
Lavdi dëshmorëve të atdheut!​

Për ta plotësuar shkrimin: NJË TAKIM I PAHARRUAR ME ATDHETARIN DUKAGJINAS AHMET SALIH SHATRI,
e zgjodha këtë shkrim të shkruar, më 15 Qershor, 2013.​
Shënim: ​
Të dhënat biografike për familjen atdhetare të Ahmet Shatrit, i mora nga historiani i njohur, nipi i tij, Muhamet Shatri.​
-Me këtë rast, e falënderoj profesorin, për këtë ndihmë fort të rëndësishme për ta pasqyruar më tej kujtimin e atij takimi të paharruar.​

10 Nëntor, 2019​
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Fadil Shyti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 739 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi