Drejt fundit të abuzimit me demokracinë |
Publikuar më 04 prill, 2021 në orën 00:20 ( ) |
Opinion | |
|
|
Olhokratët e depushtetuar dhe oligokratët në aleancë me partitë-korporata, duket se e kanë vështirë të pajtohen me faktin që, më 14 shkurt, e kanë humbur pushtetin.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës megjithatë do të kalojë me procedurë të rregullt dhe në kohën e duhur.
Vetëvendosja ka kohë q ka paralajmëruar se, ndër veprimet e para që do të ndërmirrte në Kuvend, do të ishte ndryshimi i ligjit për zgjedhje. Kjo ndërlidhej me procesin e votimit të diasporës dhe sjelljet e papërgjegjshme e krejtësisht abuzive të qeverive pararendëse. Mërgata jonë duhet të votojë në ambasada e konsullata të Kosovës, ka qenë qëndrimi i qartë i VV-së.
Në vazhdimësi, Vetëvendosja ka paralajmëruar se ky ligj do të jetë një nga ligjet e para që do ta shpjerë për votim në Kuvend. Prandaj votimi në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës si e drejtë qytetare, sot mund të konsiderohet, si një e drejtë e vonuar. Madje nëse marrim në konsideratë sjelljen e KQZ-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, na rezulton edhe si e drejtë e mohuar.
Shih për këtë, establishmentit të vjetër të partive-korporata (LDK/PDK/AAK/…) duhet t’i pamundësohet abuzimi me votën dhe demokracinë.
Për elitën politike shqiptare (në Shqipërinë politike, në Republikën e Kosovës dhe Maqedoninë Veriore) dhe zgjedhësit shqiptarë, shteti i së drejtës dhe demokracia mbeten tutje gjykimi dhe opsioni më serioz politik. Rrjedhimisht çfardo interpretimi që ndërlidhë Lëvizjen Vetëvendosje me intencat për pushtet absolut, rrezikim të mundshëm të demokracisë apo rrëshqitje drejt autoritarizmit, është shkarje e hapur për t’fshehur realitetin ku e ka sjellë klasa e olhokratëve Republikën. Çështje tjetër është interpretimi i zhvillimeve të djeshme në Parlament nga ata që nuk e njohin realitetin kosovar dhe shpërfaqin brenga të ligjshme të kësaj natyre.
Në Kosovë ka kohë që është kultivuar tipi i partive autoritare. E tillë ishte sidomos LDK-ja që në zanafillën e saj. Atë e udhëhiqte karizma e Ibrahim Rugovës, miti i krijuar për e rreth figurës së tij. Ndërkaq PDK dhe AAK janë vet emplema e autoritarizmit.
Partitë politike që sunduan Kosovën për dy dekada, vetëm formalisht deklarohen pro vlerave liberale.
Forma e qeverisjes demokratike është në shpërputhje të plotë me mendësinë e olhokratëve që prodhoi imitimi dhe tallja që i bën demokracisë liderët e establishmentit të vjetër politik. Demontimi i këtij tipi partish është bukur i vështirë, meqë ato me kohë kanë futur nën kontroll ekonominë dhe veprojnë si struktura mikse – parti/korporata. Megjithatë, zgjedhjet e 14 shkurtit e kanë trandë në themel pushtetin e olhokratëve, prandaj ata dje reaguan në bllok.
Adam Przeworski tek „Democracy and Development“ : 2000) pretendon se rreziku për dështimin e një sistemi demokratik është i ndërvarur në rrafsh linear me lartësinë e të ardhurave (pagave) që gëzon një pjesë e mirë e popullsisë, sidomos shtrresa e mesme.
Në tezën e tij „Convergence and Modernization Revisited“ të publikuar në vitin 2012, Robert Barro, vlerëson se, egziston një lloj korelacioni i fuqishëm mes Bruto Prodhimit Kombëtar (BPK) për kokë banori dhe kualitetit të institucioneve demokratike të një vendi.
Në hapësirën shqiptare ka 1001 arsye të gjykojmë se vullneti politik për ndërtimin e institucioneve demokratike të tipit skandinav, gëzon mbështetje shumë më të madhe në popull, se sa ai i tipit të demokracisë turke a ruse, që kultivoi për njëzetë vite klasa e olhokratëve kosovar, me theks të veçantë tandemi Thaçi/Mustafa.
Pavarësisht se ata nuk janë më në skenën politike, fryma politike që ka kultivuar ai tandem është tepër prezente. Ky fakt u dëshmua dje në reagimin bllok të opozitës rreth ligjit që garanton të drejtën kushtetuese për votën e qytatarëve tanë në mërgatë.
Kjo është edhe arsyeja pse rezistenca kundër sistemit autoritar në Kosovë ishte më e shtrirë tek shtresat e mesme dhe pse fitoi mbështetjen e rinisë.
Olhokratët e depushtetuar dhe oligokratët në aleancë me partitë-korporata, duket se e kanë vështirë të pajtohen me faktin që, më 14 shkurt e kanë humbur pushtetin.
Studiot e tv-ve janë shndërruar, shih për këtë, në fushbeteja dhe lama vajtimi e kërcënimi tok. Por sa tragjimomik rezultojnë, tek japin alarmin e rrejshëm për gjoja rrezikun që i kanoset demokracisë, do ta kuptojnë edhe vetë shumë shpejt.
Projektligji i sjellë në seancën e së premtës në orët e mbrëmjes në Parlament, ishte dhe mbetet në funksion të garantimit të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mërgata jonë, ndonëse plot vullnet e gatishmëri ta ndihmojë vendin tonë, ka hasur në pengesa të ndryshme në pjesëmarrjen e saj në jetën politike në Kosovë. Ky Projektligj e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës, pra pjesëmarrjen më të lehtë në proces duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme, potencohet qartë në reagimin e kryeministrit në detyrë.
Ti krijohen mundësitë shtetasit të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur është e drejtë elementare e lirive dhe drejtave politike, por edhe njëri nga parimet bazë të demokracisë. Në zgjedhjet e ardhëshme, kurdo që të jenë ato, mërgimtarët tonë duhet e do të kenë të drejtë të votojnë në ambientet e ambasadave të Kosovës, por njëkohsisht përmes këtij ligji, t’ju mundësohet që votën ta dërgojnë në fahun postar të ambasadës a konsullatës më të afërt.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës gjithsesi do të kalojë me procedurë të rregullt dhe në kohën e duhur.
Dr. Sadri Ramabaja
Prishtinë, 3 prill
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 2 vizitorë |
Lexuar:
294 herë
|
|
|
|
|
|
|