Pasi ka shënuar edhe fitoren e tij të 33-të në ringun profesionist, përballë amerikanit Derrik Reed, Elvir Muriqi ka shpallur botërisht se tani është në kërkim të kampionit të botë në kategorinë gjysmë të rëndë. Shqiptari kërkon të sfidojë kampionin botëror në fuqi në kategorinë gjysmë të rëndë, Antonio Tarver, madje edhe ka paralajmëruar datën kur mund të ndodhë një meç i tillë.
“Pas kësaj fitoreje që kam arritur, unë jam i gatshëm të dal në ring përballë boksierit më të mirë të kategorisë sime, Antonio Tarver. Shpresoj që ta bëj këtë realitet që me 24 shkurt", ka thënë “Kosova Kid”.
Në fakt një gjë e tillë ka shumë gjasa që të ndodhë pasi si Muriqi, ashtu edhe kampioni Tarver kanë të njëjtin promotor, Joe DiDuardia i kompanisë “Star Boxing”. Edhe karriera e shqiptarit e bën atë një boksier të përkryer për të luftuar për titullin e kampionit të botës. Me 36 ndeshje të zhvilluara, ai ka shënuar 33 fitore dhe ka humbur vetëm tri luftëra, madje njëra prej humbjeve ka qenë me diskualifikim nga ana e gjyqtarit. I rëndësishëm është edhe fakti se ai ka fituar nga këto ndeshje 20 me nokaut.
Historia e boksierit është shumë e veçantë. Ai ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1996, ndërsa në Kosovë ishte shpallur kampion në kickboks që në moshën 15-vjeçare. Ka emigruar në Nju-Jork, më saktësisht në lagjen e famshme Bronks, nga e cila kanë dalë shumë boksierë të famshëm. Shpërthimi i tij në ringun e boksit ka ndodhur në vitin 1998, kur fitoi turneun prestigjioz "Golden Gloves" të mbajtur në arenën e famshme të "Madison Square Garden". Që atëherë, ai ka boksuar në rang profesionisti, duke regjistruar fitore pas fitoreje, ndërsa tashmë pretendon të ngjitet në majën më të lartë të boksit profesionist, duke sfiduar kampionin amerikan, Antonio Tarver, i cili aktualisht mban brezat e titujve të kampionit në versionet WBC dhe WBA.
Albania Sport |