Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Kriza financiare globale: efektet shkatërruese të saj
Publikuar më 07 shkurt, 2009 në orën 21:15 ( ) Ekonomi |
Rrit madhësinë e shkronjave
Kriza aktuale ka përfshirë botën e me theks të veçantë, vendet më të zhvilluara, të atyre shteteve që kanë shumicën e brutoproduktit botëror dhe që kanë nivelin e lartë të jetesës.
Edhe ata që nuk janë ekspertë mund t’i përshkruajnë pasojat e krizës duke e parë realitetin që po shihet, por për atë se deri ku do të shkojë kjo krizë është e pamundur që të parashikosh. Edhe ekspertët më të mëdhenj kanë hamendje dhe divergjenca të mëdha, por pajtohen me një gjë:

- efektet shkatërruese të kësaj krize do të jenë më të rënda se asnjëherë më parë dhe nuk mund të parashikohen.

Kohë të gjatë, në teorinë ekonomike botërore pati sunduar teoria e ligjeve të tregut të lirë. Me bindjen se tregu është rregullatori i të gjitha problemeve ekonomike. Tregu, si uji i lumit do e gjejë rrjedhën me të mirë dhe do të gjejë zgjidhjen e nevojshme më të mirën. Prandaj sa më pak barriera shtetërore tregut, sa më pak intervenime shtetërore dhe vetë tregu është një autorregullatore ekonomik. Ekonomia e tregut të lirë u bë model i zhvillimit dhe progresit ekonomik botëror, ajo kaloi barrierat kombëtare dhe u bë ligji i zhvillimit të mbarë ekonomisë botërore. Globalizmi dhe tregu i lirë botëror u bënë parimet e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Të gjithë organizmat ndërkombëtar, si Banka Botërore, shtetet e fuqishme ekonomike, parime të zhvillimit dhe bashkëpunimit vunë ekonominë e tregut të lirë dhe eliminimin e intervenimeve shtetërore. Sa më pak intervenim të shtetit sa më tepër liri veprimit të tregut - ky ishte parimi kryesor ndërkombëtar.
Ekonomia botërore shënoi një hov të madhe zhvillimi, dhe ligji i cikleve të zhvillimit të ekonomisë u minimizua, krizat kaloheshin më lehtë dhe ekonomitë vazhdonin me ritme të zhvillimit pozitiv ose në fazat me të këqija niveli i zhvillimit zero. Duke pasur tregu-kapitali si parimin kryesor të saj fitimin, u realizua një zhvillim i hovshëm dhe fitime të papara më parë. Kapitali financiar krijoi produkte të reja dhe i freskoi ato të vjetrat, si aksionet, obligacionet dhe letrat tjera me vlerë për të realizuar rentabilitet sa më të madh. Këto letra me vlerë të natyrave të ndryshme emetoheshin nga bankat e fuqishme botërore dhe mund t’i blije kudo që je. Në Amerikë, Evrope, Azi, Afrike e kudo që je. Mjafton që të kesh kyçje në internet dhe blerjen mund ta realizoje edhe vetë. Blerja e këtyre letrave me vlerë u bë nevojë e fitimit, domosdoshmëri e rritjes së rentabilitetit të kapitalit, shpesh pa ditur bazën reale të atyre letrave me vlerë. Nëse nuk blije ato letra me vlerë që siguronin fitime të premtuara edhe deri 20 e më tepër % ishe i humbur, kapitali nuk rritej.
Bankat e mëdha dhe ato të specializuara, fondet e plasimit të kapitalit u bënë sektori më fitimprurës për klientët e vete, të të punësuarve «traderët» dhe për vetë bankën. Fitimi i premtuar i lartë «i garantuar» me një rrezik shumë të ulët qe ofronin bankat e mëdha amerikane dhe evropiane. Derisa investimet në ndërmarrje të ndryshme nuk siguronte fitim më të madhe se 4-7% ato bankare dhe financiare siguronin fitim edhe me mbi 20%. Edhe fondacionet shoqërore që kanë destinim të caktuar me ligj, siç janë fondet pensionale, edhe ato investuan në këto «produkte financiare» për të realizuar fitimin e vetë.

Fillimet e krizës financiare

Gjatë vitit 2003 dhe 2004, Banka e Rezervave Federale Amerikane «Federal Rezerve Bank» aplikonte përqindje të interesit tejet të ulët, për të stimuluar konsumin, për të nxitur familjet amerikane për të investuar në blerjen e shtëpive. Mjaftoje që te shprehesh dëshirën e blerjes së shtëpisë edhe pa të ardhura mund të blije shtëpinë duke të akorduar kredinë edhe me 110% të vlerës reale të shtëpisë. Këto kushte sollën edhe rritjen e kërkesave nga familjet për këto kredi dhe blerjen e shtëpive çka rrjedhimisht shkaktoj edhe rritjen e çmimeve të tregut imobilier (objekteve). U zhvillua një formë e njohur e financimit në Amerikë e ashtuquajtura «subprime» që konsistonte në % të interesit indeks (psh. mbi % e interesit direktori të aplikuar nga Fed) duke e rritur atë për «primin e rrezikut» (subprime) i cili mund të ishte edhe i lartë. Zakonisht vitet e para (1,3 apo 5 vite) ishin të mbuluara me përqindje të interesit fixe të promovimit që pastaj kalohej në përqindje të interesit variabile. Kjo formë e tregut, financimit «subprime» u zgjerua jo vetëm mbi sektorin imobilier- hypothekë, por edhe tek kartat e kreditit, veturave me qira dhe sektorë tjerë duke ju akorduar kredi edhe një klienteli jo solvable.
Ky lloj tregu shënoj hove sidomos gjatë viteve 2002-2006, ku bie fjala huat hipotekare prej 200 miliard USD në vitin 2002 u rritën në 640 miliard USD në vitin 2006. Logjika ishte shumë e thjeshtë : derisa sektori immobilier rritet, shtëpitë e hipotekuara sigurojnë se përfundimi do të jetë i mirë, pasiqë në rast rreziku banka mund t’i merr parat e veta duke shitur shtëpinë. Kjo mbulohej edhe më mirë nga rritja e përhershme e çmimit të tregut të shtëpive dhe sektorit imobilier.

Ndryshimi i situatës

- Banka e Rezervova Federale Amerikane (Fed) në mënyrë progresive bëri rritjen e përqindjes së interesit direktori nga 1% në 5.25 % (2004 dhe 2006)
- Si rezultat i zvogëlimit të kërkesës, çmimi shtëpive dhe sektorit imobilier shënojë zbritje duke filluar nga viti 2006. Ky ndryshim llogaritet në disa regjione deri në 20 % në 18 muajt e fundit.

Si rrjedhim huamarrësit u gjenden para rritjes së shpejtë të shumës së kthimit të borxhit mujor dhe ata me të ardhura më të ulëta u gjendën të pafuqishëm për kthimin e tyre. Njëkohësisht tregu i shtëpive dhe i imobiliereve në përgjithësi shënojë rënie. Bankat u gjenden para problemit të tërheqjes së kredisë, sidomos në rastin kur paaftësia e kthimit të borxhit nga huamarrësit u bë masovik. Në vitin 2007 përqindja e paaftësisë së kthimit të borxheve nga huamarrësit arriti në 15%.
Josolvabiliteti (pafuqia e kthimit të borxheve) i huamarrësve dhe rënia e çmimeve të sektorit imobilier shkaktuan falimentimin e disa bankave të specializuara për huat hipotekare me rreziqe.
Problemi i kredive hipotekare nuk ndalet vetëm me kaq. Huat e dhëna për hipoteka zakonisht për të transferuar rrezikun shndërrohen në letra me vlerë të cilat të konsideruara si të sigurta shiten tek bankat dhe fondacionet financiare.
Këto hipoteka të shndërruara në letra me vlerë të «titrizuara», zakonisht janë parcializuar në pjesë shumë më të vogla të saj duke u bashkuar me pjesë të tjera të letrave me vlerë siç janë aksionet, obligacionet, duke krijuar produkte të reja financiare që shiteshin si të tilla jo vetëm tek bankat amerikane por në gjithë sistemin financiar botëror. Bankat shitnin produktet e kombinuara për të bartur dhe minimizuar rrezikun në tregun financiar, pa ditur blerësi rrezikun real që paraqesin ato letra me vlerë. Këto produkte financiare të titrizuara zakonisht i blinin investitorët e ndryshëm, fondet investuese klasike, fondet spekulative etj.
Në këtë mënyre investime të rrezikuara nuk mbeten vetëm investimet në hipoteka por edhe produktet tjera financiare, pa pasur mundësi të krijohet një ndarje mes atyre me rrezik dhe atyre të sigurta.
Investitorët e ndryshëm duke u mbështetur në rendimentin e lartë të kredive subprime të titëruara, me kërkesat e tyre te vazhdueshme, kanë ushtruar një presion të madh mbi zgjerimin e madhe të këtyre produkteve me qëllim rritjes së performancës së fondeve të veta. Ata i kërkonin këto produkte financiare sepse siguronin rendiment të lartë të emituar nga Bankat më prestigjioze amerikane që ofronin siguri.
Dhe së treti edhe vete bankat janë të financuara nga huat afatgjate të ashtuquajtura dinamike që premtojnë një fitim të lartë, fitim ky i cili tani me krizën e paraqitur doli se është vetëm virtual dhe jo real dhe se bankat bartin jo vetëm rrezikun e kredive të akorduara por edhe të kredive të marra nga vetë banka. Tani në kohën e krizave edhe vetë bankat u gjenden josolvabile, në pamundësinë e kthimit të kamatave të larta të premtuara dhe garantuara për borxhet e marra.

Shpërthimi dhe thellësia e krizës

Kriza financiare nisi në semestrin e dytë të vitit 2006 me rënien e kthimit të borxheve hipotekare në SHBA (subprime) ku shumë borxhli nuk ishin të aftë t’i kthenin borxhet e tyre. Në shkurt 2007 kriza kaloj tek bankat kryesore duke kaluar në krizë financiare ku përfshinte kredit më të mëdha hipotekare, që nga vera e viti 2007. Kjo krizë shkaktojë rënien e tregut të bursës në verën e vitin 2007, kjo rënie e tregun e bursës, qe shumë më e ulët në krahasim me rënien e thellë në tregut të bursës së vitit 2008. Autoritetet shtetërore dhe ekspertët financiare gjykuan se më tepër kemi të bëjmë me një krizë të mungesës së likuiditetit ndërbankar, prandaj edhe reaguan duke futur shuma monetare në tregun ndërbankarë. Por kriza dal-nga-dal kaloj si një krizë globale e josolvabilitetit bankar dhe financiar. Duhet theksuar se në këtë kohë ende në Evropë nuk flitej për rrezikun e përfshirjes në këtë krizë.
Duke filluar nga vera e vitit 2007, në Bilancin e bankave, shkoj duke u bërë revidimi i aktiveve të tyre, në zhvlerësimin e aktivit të tyre të lidhura me produktet subprimes duke shkaktuar zvogëlimin e kapitalit të tyre vetanak. Shumë banka shpejtuan në rritjen e kapitalit të tyre vetanak duke shitur aksione të veta ose përmes participimit të investimit të jashtëm posaçërisht atij aziatik dhe të Gjirit Persik. Kjo shumë vetëm nga mesi 2007 - mesi 2008 arriti në 300 miliard dollarë. Por kjo shumë sipas analistëve mbeti shumë inferior në krahasim me nevojën reale të kapitalizmit bankar dhe ekuilibrit të strukturës së bilancit të bankës. Në realitet bankat u treguan të paafta të vlerësojnë vlerën reale të aktivëve të veta, çdo vlerësim u bë i pasigurt, i ndryshueshëm, për përcaktimin e vlerës reale.
Kjo situatë shkaktojë rritjen e krizës së likuiditetit ndërbankarë, krizën e besueshmërisë së ndërsjellë dhe rritjen e përqindjes së interesit të borxheve ndërbankare. Pabesi e ndërsjellë ndërbankar, duke ngurruar të ofrojnë një shërbim të këmbimit afatshkurtër të shumave monetare, bankave partnere, që në kohën e normalitetit kryhej me një sinjal telefonik. Tani kjo nuk realizohej, ishte rrezik, se nuk dihej se cila nga bankat do të falimentoj dhe bashkë me te do merrte edhe partnerin me vete drejt falimentimit.
Kriza financiare u thelluar në shtator të vitit 2008, ku shumë institucione financiare amerikane u gjenden në situatë të falimentimit ose u shpëtuan nga reagimi i Fed (kompania e sigurimeve AIG, Fannie Mae dhe Freddie Mac), u blenë më një çmim simbolik Bear Stearns nga JPMorgan ose falimentuan (Lehman Brothers). Këto ngjarje shkaktuan kaos jashtë SHBA-se e veçanërisht në Evropë ku shumë institucione financiare u gjenden para falimentimit. I gjithë sistemi bankar ndërkombëtar ishte i ndërlidhur, në veçanti me strumbullarin e vetë, qendrat bankare amerikane.
Nga kjo situatë me shpejtësi ndryshoj dhe vazhdon të ndryshon struktura bankare ndërsa bursa pësoj rënien më të thellë në historinë e saj, vetëm nga janari deri me 24.10.2008 pësoj një rënie e paparë. : Dow Jones (SHBA) zbriti për 36.83%, Nikkei (Japonia) për 50.03%, FTSE 100 (Britani) për 39.86%, DAX (Gjermani) për 46.75%, CAC 40 (France) pësoj rënie prej 43.11%, Bursa e Moskës u mbyllë për javë të tëra nga frika e efekteve bursiere.


Duke u mbështetur në njohuritë historike se kriza financiare dhe bankare është vetëm faza e parë e një krize më të thellë të ekonomisë reale, qeveritë e fuqive të mëdha ekonomike botërore ndezën sinjalin e alarmit për të intervenuar shteti në shpëtimin e sistemit bankar, për të zvogëluar efektet shkatërruese të krizës mbi ekonominë reale.

Planet e shpëtimit të sektorit bankar të rrezikuar fillimisht u plasuan në SHBA dhe Evropë dhe në të shpeshtën e rasteve ka dy aktorë të mëdhenj:
Qeveritë dhe bankat qendrore.
- Bankat qendrore po reagojnë në zbritjen e përqindjes së interesit të tyre si dhe në marrjen si garant të aktiveve të infektuara të bankave në vështirësi. Psh. Në tetor 2008, Fed dyfishoj nivelin e likuiditetit të vënë në dispozicion të bankave duke arritur shumën në 9000 miliard dollarë.
- Qeveria Amerikane plasoj Planin Paulson i cili plan parashikon blerjen e aktiveve të infektuara nga bankat e ndryshme në shumën prej 700 miliard dollarë.
-France : Shteti garanton të gjitha operacionet bankare në vlerë prej 320 miliard dollarë dhe ndihmon në kapitalizmin e bankave në vlerë prej 40 miliard dollarë.
- Gjermani : Shteti garanton operacionet bankare në vlerë prej 400 miliard dollarë dhe ndihmon në kapitalizmin e bankave për 80 miliard dollarë.
- Britania e Madhe : Shteti garanton operacionet bankare në vlerën prej 320 miliard dollarë dhe ndihmon në kapitalizmin e bankave në vlerë prej 64 miliard dollarë.
- Zvicër : ndihmohet në kapitalizmin e bankës prej 6 miliard frz. dhe blihen aktivet e infektuara prej 60 miliard frz.
- Indi: ndihmohet sektori bankar me 9 miliard dollarë
- Kinë: Ulet përqindja e interesit.
Përkundër këtyre masave të papara për të stabilizuar sektorin bankar dhe për të minimizuar efektet e krizës, kriza vazhdon rrugën e thellimit të saj.
Sistemi bankar u bë i dyshimtë dhe i rrezikshëm, frikë nga ai. U zbulua edhe skandali i financierit Bernard Madoff, që bankat dhe investitorët humben mbi 50 miliard dollarë. Një sistem investues privat i ndërtuar në sistemin e piramidave klasike të ngjashme me ato që kemi parë më parë në ekonominë e Shqipërisë. Më e keqja është se fundi i këtyre keqmenagjimeve dhe të papërgjegjësive nuk shihet askund dhe çdo ditë qëndrohet nën ethet e njërit nga shumë skandalet e pazbuluara bankare!!! Sipas disa analistëve humbjet vetëm të ekonomisë amerikane do të sillen në 3600 miliard dollarë.
Shumë analistë mbështesin idenë se kriza e kredive imobilier „subprime“ është vetëm shkëndija e shkaqeve më të thella të kësaj krize. Shumë nga ata analistë mendojnë se shkaqet e kësaj krize duhet kërkuar në grafikun në vijim:


Ku kurba e gjelbër paraqet shumën e kursyera në miliard dollarë nga amerikanët në periudhën 1953-2008. Ndërsa kurba e kuqe paraqet shumën e huazuar për periudhën e njëjtë. Ku shihet se kursimi dhe konsumi në familjet amerikane deri në vitin 1990 ishte në suazat e ecurisë normale varësisht nga ciklet ekonomike për të shënuar konsumi rritje te larte pas vitit 1998. Ky grafik ka elemente për të shpjeguar edhe arsyet e deficitit komercial dhe buxhetor si dhe borxhin e lartë të jashtëm amerikan.

Kriza dalëngadalë po bartet edhe në ekonominë reale. Kriza bankare po ndryshon formën e saj dhe po paraqitet si krizë e superprodhimit. Sektori i industrisë automobilistike është ai i radhës për të përfshirë me shpejtësi të gjithë sektorët tjerë. Të gjitha parashikimet tani janë reviduar duke paraparë një rënie të Brutoproduktit shoqëror në të gjitha ekonomitë e shteteve të fuqishme dhe të tërë globit. Ato sillen nga parashikimet për vitet 2009 e 2010 në -3 e deri në -10 % të BPSH.
Shumë shtete janë duke krijuar plane gjiganteske të investimeve duke rritur deficitin buxhetor për të stimuluar ekonominë dhe zvogëluar efektet negative të krizës.


Si është e mundur ky kataklizëm financiar dhe ekonomik i kapitalizmi modern kur të gjithë menduam se kapitalizmi dhe forma e tij moderne neoliberalizimi ishin rregullatorët e mrekullueshëm të tregut dhe shoqërisë? Si është mundur që sistemet demokratike model të krijojnë hapësirë për parregullsi të tilla financiare? Edhe mbrojtësit më të mëdhenj të tregut të lirë si rregullatori i vetëm janë tërhequr dhe po kërkojnë një kontroll dhe rregullator shumë më të fuqishëm për të evituar përsëritjen e krizave të ngjashme. Po pyetja që shtrohet është dhe se kush po humbë dhe a ka edhe nga ata që fituan në të vërtetë në këtë krizë?

Kush përfituan nga kjo krizë?

- Në rend të parë fituan ata që edhe janë përgjegjësit kryesor të kësaj krize. E ata janë menaxherët e shumtë, bankierët, ndërmjetësuesit bankarë e financiare të cilët krijuan produkte të llojllojshme të plasuar në bursat e njohura me premtimin e fitimit joreal për financuesit duke siguruar për vetën e tyre fitimin e menjëhershëm mbi kapitalin e investuar nga të tjerët. Financuesit e mëdhenj, spekulatorët e shumtë të tregut bursier duke vjelë fitimet e tyre të garantuara dhe duke lënë si pasojë rrëmujën e mëvonshme financiare. Ata përfituan edhe nga shkathtësia e tyre bankare duke shfrytëzuar rregullat e sistemit financiar botërore, që mendohej se është i organizuar në mënyrë të përsosur, e mbi të gjitha përmes autorregullimit të tregut, krijuan produkte bursiere të mbivlerësuar, mbi vlerën reale të tregut për tu gjendur më vonë ato produkte bursiere si të pavlera. Vetëm rrogat dhe bonuset e menaxherëve të shumë të bankave silleshin në 500'000 deri në 50 milion dollarë vjetor, ndërsa rrogat e punëtorëve as për të siguruar jetesën normale të familjeve të tyre. Sipas revistës „Le Times“, vetëm 15000 familje amerikane fitojnë 5% të të ardhurave totale kombëtare amerikane - që është e barabartë me të ardhura prej 9.5 miliard dollarë për familje në vit. Në të njëjtën kohë aktualisht sot në botë 1.2 miliard njerëz jetojnë me më pak se 1 dollarë në ditë.
- Fituan bankat e mëdha të cilat me vite përvetësuan fitimin mbi investimet e realizuara për të vete dhe për të tjerët, ndërsa në rastin e tanishëm, investimet e tyre të pavlerë i bartën me mjeshtri në barrë të buxhetit shtetëror, gjegjësisht në barrën e qytetarëve të thjeshtë që nuk ka asnjë përgjegjësi në arrogancën bankare.
- Bankat e mëdha të cilat me shpejtësi të paparë bënë blerjen e bankave të tjera konkurruese me një çmim simbolik duke forcuar pozicionin e tyre në tregun bankarë për të dalë i pari në situatën e nesërme të pas krizës. Sistemi bankare me shpejtësi po ristrukturohet brenda natës, për të cilat ristrukturime në kushte normale bëhen negociata të gjata me vite.

Po kush humbën?

- Humbën kryesisht bankat dhe financuesit e ndryshëm që plasuan kursimet e tyre financiare në kërkim të një fitimi më të madh, një fitimi që u bë modë „e shkathtësisë dhe vigjilencës financiare“.
- Humbën fondacionet e ndryshme të fondeve pensionale, të cilat investuan në këto produkte financiare me shpresën e kapitalizmit më të madhe, për tu gjendur sot të rrudhura për humbjet e pasuara. Fat të njëjtë pësoj edhe Fondi Pensional i Kosovës për të cilin më në fund po flitet se vetëm gjatë vitit 2008 humbi rreth 100 milion euro nga tërësia e tij. Po nuk di pse nuk thuhet asgjë për parat e grumbulluara nga agjencia e Privatizimit të pasurisë së Kosovës, për të cilat thuhet se janë depozituara në një vend të sigurt, po nuk dihet se ku dhe sa është vlera reale e sotme e tyre.
- Humbi qytetari, humbën miliona familje investimet e tyre dhe buxhetin e tyre financiar.
- Humbën miliona familje të cilat tash dhe në të ardhmen do të bartin humbjet e mëdha financiare me kurrizin e tyre përmes zvogëlimit të fuqisë blerëse dhe rritjes së tatimit që shteti do e bartë tek ta për të mbuluar rrezikun që shteti sot ka marrë mbi bankat për të ashtuquajtura „produkte të infektuara financiare“. Bankierët dhe financierët kanë përvetësuar fitimet e tyre kolosale ndërsa rrëmujën dhe humbjen po e lënë mbi barrën e familjeve dhe qytetarëve të thjeshtë.
- Humbën mijëra të punësuar në ekonomin, pasojat e kësaj krize veç kanë filluar të ndihen, e sektori i dytë pas atij financiar është ai automobilistikë, ku shumica e prodhuesve automobilistik po kërkojnë ndihmën e shtetit dhe kanë ndërprerë përkohësisht prodhimin. Në vazhdim kriza do vazhdojë mbi sektorin e ndërtimtarisë, industrisë, hotelerisë dhe mbi gjithë ekonominë. Recesioni ka përfshirë në gjysmën e dytë të viti 2008 SHBA-në, Japoninë, Francën e edhe Gjermaninë, ndërsa parashikimi i depresionit të Bruto Produktit për vitin 2009-2010 do sillet në rreth -3 e -10%. Me këtë parashikim është evidente humbja e qindra mijëra vendeve të punës.
- Të hyrat e vendeve të pazhvilluara do të zvogëlohen duke u mbështetur në rënien e shpejtë të çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror.
- Humbësi më i madh i kësaj krize padyshim është vetë sistemi kapitalist botëror. Kapitalizmi botëror, liberalizmi modern dhe tregu i lirë si autorregullator i ekonomisë ishte bërë i padiskutueshëm. Sidomos pas mposhtjes së ish-bllokut te vendeve socialiste, dhe rritjes së vazhdueshme të Bruto Produktit shoqëror, kapitalizmi dhe tregu i lirë ishin të padiskutueshëm si formë efikase e veprimit shoqëror. Nga kjo krizë edhe vetë aktorët e saj po befasohen me autoshkatërrimin e vetvetes, rrëmujën, tatëpjetën dhe pafuqinë e aktorëve për të ndërprerë këtë autoshkatërrim të tërë sistemit ekonomik.
Të gjitha grupimet politike në perëndim me ndikim, të pozicionuara si të djathtat dhe të majtat shqetësimin kryesor e kanë ndërmarrjen e veprimeve për të zvogëluar veprimet shkatërruese të krizës. Pa diskutime të mëdha po aprovojnë plane të veprimit të shtetit që përfshijnë miliarda dollarë të hedhura në treg për të mbajtur në këmbë shtyllat kryesore të ekonomisë. Të vetmet diskutime të ngjallura janë ato mbi përgjegjësinë e drejtuesve të bankave. Edhe plani Paulson që u kthye dy herë për aprovim në Kongresin Amerikan, ishte kryesisht diskutimi mbi kërkesën e disa kongresisteve që të veprohet fillimisht jo mbi bankat por mbi pronarët e shtëpive, që atyre t’ju ndihmohet në pagesën e obligimeve të tyre me çka do të kishte efektin e njëjtë, pasiqë, produktet e infektuara dhe me rrezik do bëheshin rentabile dhe jo të rrezikshme dhe bankat do të gjendeshin të siguruara për kthimin e kredive.
Qasja e ballafaqimit me krizën të forcave politike dallon nga Amerika në Evropë por që të gjithë kanë një synim: veprimin e pakursyer në zvogëlimin e pasojave shkatërruese të krizës. Derisa amerikanët dhe disa nga liderët evropianë kërkojnë me ngulm që përderisa kriza është globale edhe reagimi duhet të jetë global, botëror. Por Evropa nuk arriti të ketë një plan të përbashkët veprimi, por u kënaqën me veprime të njëtrajtshme por individuale të shteteve të veçanta.
Ndërsa forcat politike të ndara në blloqet e njohura tani të majta dhe të djathta nuk dallon shumë nga vetë pozicioni i tyre aktual dhe historik të lidhjes së tyre me qeverisjen. Pasi disa nga forcat e majta të shteteve të Evropës aktualisht janë në pushtet si në Britani të Madhe, Spanjë e pjesërisht në Gjermani, disa të tjera me vite të tëra ishin në qeveri si në Itali, Francë e vende të tjera. Ato që të gjitha bashkë ndiejnë përgjegjësinë për situatën aktuale. Prandaj e majta dhe e djathta janë të bashkuara në reagimin e përbashkët ndaj ballafaqimit me krizën.
E majta e njohur si e majta tradicionale në Evropë ka kohë që mbronte parimin e liberalizimit të plotë të tregut. Edhe ata sikurse edhe e djathta mbronin lirinë e plotë të veprimit të ligjeve të tregut si autorregullator të tregut. Tani si e majta edhe e djathta në Evropë po kritikojnë këtë filozofi si të rrezikshme për shoqërinë por që të gjithë nuk dinë kah do të shkoj sistemi bankar dhe çfarë sistemi i ardhshëm i rregullave duhej të vendosen. Të gjithë janë të një mendje se sistemi aktual i vendosur mbi bazat e Breten–Wudit dhe të dollarit si divizë reference, është i pasuksesshëm dhe duhet ndryshuar. Gjithë e keqja erdhi nga Amerika, ku kishte primatin e një tregu „strehë“ për të tjerët u bë vend i derdhjes së parasë pa kthim.
Në takimin e parashikuar të G20 i cili do të mbahet rreth muajit prill në Londër, janë paraparë që të shtjellohen dhe të gjendet zgjidhja në këto çështje kryesore:
- përmirësimin e transparencës së bankave në nivelin e tyre të kontabilitetit;
- përforcimin e kontrollit mbi bankat përmes një revizioni mbi notimin e bankave dhe të rrezikut që marrin përmes normave të lidhura me Credit Default Swep;
- përmirësimin e menaxhimit të rrezikut duke vendosur modele të reja dhe në kontrollin e pagesës së traderëve-menaxherëve;
- përmirësimin e supervizionit të tregut duke rritur kooperimin ndërmjet shteteve dhe përforcimin e kontrollit të bankave të mëdha ndërkombëtare;
- përmirësimin e rregullave, duke kërkuar nga FMN dhe të Forumit të stabilitetit financiar për të formuluar rekomandimet për limitimin e efekteve ciklike të financave,
- përforcimin e kapaciteteve të institucioneve financiare ndërkombëtare për të ndihmuar ekonomitë në vështirësi.
Bota ka nevojë për një strukturë të re financiare për të luftuar joekulibrin financiar, të zvogëlimit të formave spekulative në tregun financiar.
Sipas ish-kryetarit të Rezervave federale amerikane (Fed), Alan Greenspan, kriza aktuale financiare është „ një ngjarje e cila përsëritet një herë në 50 vjet, ndoshta një herë në shekull“ dhe deklaron se „ krizë të tillë asnjëherë nuk ka parë dhe se kjo krizë do zgjasë edhe për disa kohë“.
Me tone më optimiste paraqitet fituesi i çmimit nobel për ekonomi Joseph Stiglitz, sipas të cilit kriza financiare duhet te“jetë më e butë se sa ajo e viti 1929“ ngase „ sot ne disponojmë mjetet për të evituar një tjetër depresion të madh“ por vazhdon ai duke shpreh dyshimin se shpesh „njohurit nuk arrihen gjithherë të praktikohen në jetë.“

Pozicioni i së majtës në këtë krizë

Në të vërtetë e majta tradicionale në Evropë me qëndrimin e saj të vazhdueshëm edhe lidhur me lirinë veprimit te pakufizuar të tregut është barazuar me të djathtën në Evropë e cila edhe ajo po kërkon kufizimin dhe kontrollin e veprimit të tregut, kontrollimin dhe rregullimin e veprimit të tregut. E majta tradicionale është e programuar nga ajo vetë që nuk mund të ofrojë alternativë shumë të ndryshme nga e djathta. Kryetar i institucionit kryesor financiar botëror FMI është Dominique Strauss-Kahn, njëri nga drejtuesit e respektuar të PS franceze, gjithashtu një nga socialistët njohur francez Paskal Lamu është Drejtor gjeneral i Organizatës Botërore të Tregtisë (OMC). Hapësira e veprimit politik të së majtës është shumë e vogël. Hapësirë më të madhe të veprimit po gjejnë tani e majta e njohur deri më tani si e majta ekstremiste. Teoritë e tyre të zhvillimit ciklik të kapitalizmit, i cili ecën përmes superprodhimit dhe krizave të saj të vazhdueshme po gjejnë mbështetje më të gjerë se më parë.
Analisti francez Michel Collon në analizën e tij të 8 tetorit 2008 thekson se „Historia tregon se kapitalizmi ka shkuar gjithnjë nga një krizë në tjetrën. Herë pas here një „luftë të drejtë“ për të dalë (për të eliminuar konkurrentët, ndërmarrjet, infrastrukturën, e cila mundëson një „rinisje“). Në realitet krizat janë edhe një fazë ku më të mëdhenjtë përfitojnë për të eliminuar dhe absorbuar më të vegjlit. Dhe këto super-grupe do të kenë edhe më shumë mjete për të varfëruar punëtorët dhe për të bërë një konkurrencë edhe më të fortë. Pra kthimi tek fillimi“.
Teoritë e Marksit mbi zhvillimin ciklik të kapitalizmit, të harruara dhe të demoduara më parë, tani janë bërë teori të aktualizuara edhe nga shumë analistë të rangut të lartë.
Duke qenë se e majta tradicionale është e pafuqishme të paraqesë alternativën e saj, shumëkush shpreh mendimin se e majta reale do të dal nga rrugët e kryeqyteteve të shteteve perëndimore. Mbyllja e fabrikave dhe hedhja e qindra mijëra punëtoreve në rrugë domosdo se do sjellë një alternativë të majtë të lidhura me fatet e tyre. Është shumë i vështirë fakti që pasojat e kësaj krize të bartin masat e gjëra punëtore ndërsa frytet e fitimeve marramendëse të mëhershme të sistemit, i kanë vjelë të tjerët një pakicë e vogël.

„Privatizimi i fitimit dhe kolektivizimi i humbjeve“

Parulla e „Privatizimit të fitimit dhe kolektivizimit të humbjeve“ është bërë titulli i shumë gazetave prestigjioze botërore. Barrën e efekteve shkatërruese të kësaj krize padyshim se do ta bartin qytetarët e thjeshtë, ata të cilët nuk kanë asnjë lidhje me shkaktarët e saj, me ata që kanë marrë vendime të shumta në vrap për të realizuar fitime sa më të larta.
Lëvizja sindikale e gjendur e papërgatitur nga kriza aktuale po lëviz në drejtim të rezistimit të saj pa pasur një strategji të përbashkët veprimi dhe kryesisht është e orientuar në: ruajtjen e vendeve të punës në kontestin aktual të krizës, ruajtjen dhe përmirësimin e fuqisë blerëse dhe në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Shumë analistë shqetësohen edhe për pasojat politike të kësaj krize të thellë. Shumë kujtojnë se kriza e viteve 1929-33 bashkë me mizerjen e miliona familjeve të thjeshta, solli ngritjen në fuqi të nazizmit gjerman me të gjitha pasojat antinjerëzore të tij. Se çka do të sjell kjo krizë duhet pritur ovulimin e saj. Pas kësaj krize, bota nuk mund të eci kështu siç ka ecur, ajo duhet të ndryshohet, se do ta ndryshoj vetë kriza që po përjetojmë, por pyetja më esenciale është se çka dhe si do të duket kjo botë ekonomike dhe shoqërore???

Mr. Beqir Beqa
I diplomuar në shkencat ekonomike në Lozanë/Zvicër
Magjistër i ekonomisë
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 176 vizitorë
Lexuar: 18,600 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
FRYMA E DAVOS-it
E mart, 29 janar 2013 - 17:08
Takimi më i njohur në botë i udhëheqsve politikë dhe të biznesit -- Forumi Ekonomik Botëror 2013 në Davos të Zvicrës -- përfundoi punimet të dj...
EKONOMIA KOMBËTARE
E enjt, 17 janar 2013 - 14:51
Doli nga shtypi libri i Mr.sc. Refik Kryeziut “Ekonomia Kombëtare“ në botim të Universitetit AAB Riinvest Këto ditë doli nga shtyp libri i Mr....
NË SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR
E enjt, 10 janar 2013 - 21:28
Sipas një njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti Demokratik Kombëtar i Amerikës botoi një raport mbi një studim të...
Thikë pas shpine, nga Mali i Zi
E mart, 27 janar 2009 - 10:09
Ministri malazez Branimir Gvozdenoviç, në cilësinë e kryesuesit të sekretarit të CEFTA-s, i shkruan MTI-së se Kosova në këtë asociacion nuk mund ...
BE: Kriza ekonomike do te vazhdoje gjate
E diel, 18 janar 2009 - 16:06
Bashkimi Evropian parlajmeron se kriza globale ekonomike qe po godet fort Evropen do te jete me e gjate dhe me e rende nga sa ishte menduar, duke shuar shp...
më shumë nga - Ekonomi »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi