Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Hamëz Jashari – Vallja e përjetësisë dhe "pashallëku u qyqarllëkut"!
Publikuar më 06 mars, 2009 në orën 17:52 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 11 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK’së

Epopeja e Prekazit…

Epopeja e Prekazit me heroikën dhe tragjiken e saj e ndau kohën e Kosovës në dy periudha: e para e nënshtrimit, qyqarllëkut, zvetënimit dhe degradimit fizik e mendor, moral e shpirtëror dhe e dyta e qëndresës dhe heroizmit, kur shqiptarët u bënë të ndërgjegjshëm se janë faktori kryesor dhe vendimtar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, pa nënvlerësuar faktorët e tjerë të rëndësishëm. Njëra nga figurat kryesore të kësaj epopeje është Hamëz Jashari, portretizimi i të cilit sa duket i lehtë në fillim, aq është i vështirë, kur provon ta bësh, për shkak të multidimensionalitetit të figurës dhe monumentalitetit, e cila duhet të vështrohet nga të gjitha pikëvështrimet e nevojshme. Sa herë më është kujtuar Hamëz Jashari, jam munduar t’i evokoj të gjitha çastet e kontakteve me të. Duke evokuar më imponohej dëshira për vlerësim dhe pastaj dëshira për t’ia caktuar vendin, që e meriton në radhorin e heronjve të kombit.

Vallja e përjetësisë

Sa herë e kam kujtuar pamjen e tij fizike vazhdimisht më është kujtuar legjenda e valles shqiptare, Besim Zekthi, dhe pasardhësi i tij i denjë, Rexhep Çeliku. Ngjashmëria e fizikut të Hamzës me këta valltarë ishte e madhe: Ai kishte një bukuri epike. Vallja, që e filloi dhe e udhëhoqi së bashku me të vëllain Ademin dhe babanë e tij Shaban Jashari meriton të quhet me sintagmën lasgushiane ,,Vallja e përjetësisë”, e cila, në vetvete, përmban, në të njëjtën kohë, vallen e jetës dhe të vdekjes.

Sa herë e kujtoj Hamëz Jasharin më kujtohet njëra nga figurat më simbolike dhe më heroike të historisë kombëtare, më kujtohet Oso Kuka dhe fundi i tij heroik në Kullën e Barotit në Vraninë. Shkaku se pse Hamëz Jashari ma kujton Oso Kukën është i njohur për shumë pak njerëz, prandaj ndiej obligim moral e intelektual t’ia bëj të njohur opinionit të gjerë.

Në vitin 1990 u themelua Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe në kuadër të këtij Bashkimi u themeluan shumë degë e ndër to edhe Dega e Metalistëve të Kosovës. I deleguar nga Sindikata e Pavarur e Fabrikës së Municionit të Gjuetisë në Skenderaj, Hamëz Jashari në Kuvendin Themelues të Degës u zgjodh anëtar i Kryesisë. Në Kryesinë e Degës së Metalistëve të Kosovës Hamza qëndroi nga themelimi e deri në dhjetor 1991, kur u ndesh për herë të parë me policinë serbe në Prekaz dhe filloi jeta e tij e luftëtarit të lirisë. Gjatë kohës sa Hamza ishte anëtar, Kryesia e Degës së Metalistëve të Kosovës i mbante mbledhjet e veta çdo të mërkurë. Hamza vinte me rregull dhe ishte i preokupuar për zgjidhjen e problemeve të punëtorëve shqiptarë, të cilat ishin pjesë e pandashme e çështjes kombëtare.

Vërtet e kishte pyetur Oso Kukën si të vepronte

Në një mbledhje të Kryesisë, në vitin 1991, në kohën kur Serbia po i fuste masat e dhunshme nëpër ndërmarrjet e Kosovës e në këtë kontekst edhe në Fabrikën e Municionit të Gjuetisë në Skenderaj, Hamza iu drejtua Kryesisë së Degës me këto fjalë: ,,Së shpejti do hyjnë masat e dhunshme edhe në ndërmarrjen tonë, ndërsa ne i kemi 20 tonelata barot. Punëtorët pyesin se ç’të bëjmë? Si t’ia dorëzojmë Serbisë që pastaj të na vrasë me të?”

Çështja e shtruar nga Hamza nuk u shqyrtua zyrtarisht, sepse për një pjesë të Kryesisë, të zhytur në qyqarllëkun e pacifizmit, u konsiderua si joserioze, për të mos thënë, si herezi, që e lëndonte ,,politikën e lartë”, e cila i zhvlerësonte potencialet kombëtare deri në pafundësi. Një pjesë tjetër e Kryesisë, e pakënaqur me politikën e gjumit dhe marrjes me vetveten, por e paaftë për t’u marrë me përgjegjësi të asaj natyre, buzëqeshi pa të keq, ndërsa dikush nga pjesëmarrësit i tha Hamzës:

- ,,Pyete Oso Kukën se çfarë thotë për zgjidhjen e këtij problemi!”

- ,,Oso Kukën e kam pyetur moti, po thash t’iu pyes edhe juve” - u përgjigj Hamza me temperamentin e tij të rrëmbyeshëm. Ngjarjet që pasuan dëshmuan se Hamëz Jashari, vërtet e kishte pyetur Oso Kukën se si të vepronte dhe porosinë e tij e kishte marrë në konsiderim.

Politika e gjumit të thellë

Hamza na kishte treguar se ishte anëtar i Partisë Republikane, sepse ajo parti në programin e saj nuk e përjashtonte luftën e armatosur si formën e fundit për ta arritur lirinë. Autori i këtyre rreshtave ishte i pranishëm, kur pas një mbledhjeje të Kryesisë në shtator të vitit 1991 Hamza bëri këtë dialog me njërin nga anëtarët e Kryesisë, të cilit, i pëlqente ,,politika e lartë”, kjo joshëse e gjumit të thellë:

- Qysh po ju shkojnë punët juve në Drenicë?

- Dhuna është duke rrezikuar qenien tonë si shqiptarë, po edhe si njerëz. Ka arritur kufirin e mosdurimit - iu përgjigj Hamza.

- Kështu është edhe tek ne, por me durim e pa rënë në provokime, besoj se do t’ia arrijmë qëllimit - e vazhdoi dialogun anëtari i Kryesisë.

- Ne i kemi bërë disa armë dhe, në rast nevoje, do të mbrohemi tha Hamza.

- Lëre, bre, Hamëz, se vijnë e jua marrin armët dhe u rrahin shuplaka fytyrës, siç po bëjnë anekënd Kosovës - ia ktheu Hamzës, i cili i nevrikosur, e pse jo edhe i fyer në sedër nga përgjigja e shokut, tha:

- Varet kujt ia marrin armët dhe kë e rrahin shuplaka fytyrës, Hamëz Jasharit dhe familjes së tij, Prekazit, besa tërë Drenicës, kurrën e kurrës.

Mic Sokoli i dytë

Nja dy - tre muaj më vonë Hamza me të vëllanë, tanimë të shndërruar në legjendë, Adem Jasharin, i filluan pushkët e lirisë, të cilat goditën trupat e hienave të uniformuara serbe. Nga ai çast Kosova nuk do të jetë kurrë më ,,Pashallëku i qyqarllëkut”, të shpallur si politikë e mençur, e urtë, e butë, dhe e moderuar. Që nga ky çast Kosova do të jetë vullkan për Serbinë, i cili njëherë e përgjithmonë do ta djegë policinë kolonialiste dhe etnocidale në Kosovë. Akti i fundit, pas më tepër se gjashtë vjetësh, me të cilin e mbylli kapitullin e fundit të jetës së tij, Epopeja e Prekazit dhe gjoksi i lënë në grykën e topit serb me kalibrin më të madh, s’ka se si të mos na e kujtojë figurën madhore të Lidhje së Prizrenit, Mic Sokolin. Hamëz Jashari, me trup atleti e hap elegant prej valltari si Besim Zekthi apo pasardhësi i tij Rexhep Çeliku, hyri në vallen e filluar nga Oso Kuka e të vazhduar nga Mic Sokoli. Në këtë valle përjetësie nuk hyri vetëm, por së bashku me të vëllanë Ademin, babanë Shabanin dhe të tjerët që i pasuan.


Mr. Kadrush Radogoshi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

Prishtinë, 02. 03. 2009


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 42 vizitorë
Lexuar: 3,638 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi