AZEM BEJTË GALICA (vazhdim i pjesës - III) |
Publikuar më 06 korrik, 2009 në orën 18:33 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
Në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës
AMANETI I FUNDIT I AZEM BEJTË GALICËS
Në mbrëmjen e 15 korrikut 1924, në vendin midis Krasaliqit dhe Kozhicës, te Kroni i Ftohtë, u grumbulluan shumica e të plagosurve dhe familjet e arratisura. Aty, i shtrirë në vig, qëndronte edhe Azem Bejtë Galica. Pas plagosjes ai ishte bartur në krahë deri në Deviq. Në shtëpinë e Lam Mehmetit kishin pushuar pak, derisa e kishin gjetur një gysmë qerreje dhe një penë qe, njëri i Seferit të Behramit e tjetri i Alisë së Isës nga Duboci. Aty, reja e Lamit, Qamilja (motra e Rifat Banjskës) ia heq xhamadanin plot gjak, të cilin ia kishte futur nën ferrat e avlisë, gajtanat e të cilit janë ruajtur deri vonë. Atij po i qante zemra kur po i shihte gratë me fëmijë ngryk e plakat e kërrusura me ndonjë plaçkë në krah. E harroi plagën e vet kur i shihte përreth plot të plagosur që po luftonin me vdekjen. Fusha midis dy kodrave i gjasonte një spitali malor.
Rojet ishin vendosur në dy vende: në Kërshin e Dubovcit dhe në Kodrën e Krasaliqit. Nga ato dy vende Galica dhe dy fshatrat e tjera dukeshin si në pëllëmbë të dorës. Ato po digjeshin flakë. Në Qyqavicë kishin arritur edhe gratë e Azemit. Shota e veshur si zakonisht me rroba kombëtare burrash i afrohet trimit dhe e thërret:
-”O, ku je Azem Galica! Çou në këmbë, he burrë i dheut t’i bëj për hajër varrët. Ty s’ka çka të bën plumbi i armikut. Çou ndize një cigare tarabosh, se shokët përreth të duan të fortë e në këmbë. Vetëm dushmani të do të lodhur e të shtrirë. Çou dhe gëzohu se e ke një djalë!”
Ai u ngrit pak nga vigu dhe pasi u mbështet në bërrylin e djathtë ia ktheu Shotës:
- “Mos u tall moj Shotë -se më ligsht jam sot se atëherë kur u plagosa në Obri. E di që Zoja ende nuk ka fëmijë, por ia la amanet këtë qelibar për fëmijën që do të lindë. Edhe emrin tim e la peng për fëmijën e lindur: Azem nëse është djalë, Azemine nëse është vajzë. Tash merri dhe shpërndaji këto familje nëpër fshatrat përreth se armikut nuk i besohet, mund të në bjerë në gjurmë”.
Të nesërmen pa aguar të gjitha familjet u larguan nga ai vend duke u shpërndarë nëpër fshatrat e Drenicës.
Lajmi për luftën heroike të “Abrisë së Vogël” u përhap shpejt. Çeta e Mehmet Konjuhit dhe e Shyt Bajqinovcit menjëherë arrijnë në Qyqavicë. Posa hyjnë mbi Dubovc ndeshen me disa ushtarë që po e kërkonin Azemin. Për të mos u shkaktuar përleshje të madhe ata tërhiqen drejt majes së Çiçavicës për t’u lëshuar më vonë kah mbrëmja te vendi i caktuar. Mehmet Konjuhi kur e sheh Azemin të shtrirë në vig fillon të qajë me zë. Azemi i dha zor dhe u ul. Pasi u përshëndet me ta u tha shokëve: “Tash mbasi u bëmë bashkë me Mehmetin s’kanë çka na bëjnë shtatë kralat”.
Gjatë qëndrimit në Qyqavicë u munduan, me mjete primitive t’ia nxjerrin plumbat nga trupi, por kot. Veç e dëmtuan më keq. Nga Vushtrria e sollën edhe njëfarë usta (mjeshtër) Musën, berber por nuk pati sukses. Ai me vete kishte sjellë shumë pëlhurë të bardhë për t’ia mbështjellë plagët. Hamit Bajqinovci ishte mjeshtër për mjekimin e plagëve. Ai plumbat nuk ia noxri, por varrët ia shëroi deri diku. Ato u përthanë dhe në sipërfaqe dukeshin të shëndosha. Azem Bejtë Galica nisi të qëndrojë ulur dhe të pinte duhan. Të gjithë gëzoheshin dhe i përshkonte një fije shprese se komandanti i tyre do të ngrihej përsëri në këmbë dhe do t’u prijë në beteja të reja.
Pas një jave, kur u bënë rreth 30 luftëtarë, vendosën të nisën për në Shqipëri. Azemi e dërgoi një shok në Paluzhë që t’ia sjellë kalin e tij ALLÇIN (ishte me qime të kuqe e me jelë deri në tokë). Natën e Bajramit, Shaban Polluzha (ishte miqësuar me Azemin, ia kishte dhënë vajzën për Bejtushin e Seferit) e kishte dërguar zaptinë e vet, Halil Hajrë Veliqin në Galicë dhe e kishte marrë kalin e Azemit për ditën e Bajramit. Kështu nga Qirezi deri në Makërmal qëndroi hipur mbi të, për çka iu keqësuan plagët. Në fshatin Obri u ndalën për të pushuar. Qëndruan në kullën e Hadakut derisa ia sollën një jorgan nga shtëpia e Rrustem Smakiqit. Pasi e mbështjellin mirë më të vazhdojnë rrugën deri në Gjurgjevik, në kullën e Sadik Ramës. Atje u bashkohen edhe dy çeta të tjera: çeta e Mehmet Delisë dhe ajo e Met Imerit. Në malet midis Përçevës dhe Gllarevës Azemi lodhet shumë. Shota dhe plaku i Galicës, Bekë Hyseni, i qëndronin te koka. I tha Shotës t’iu bëjë zë shokëve, se do t’ju thotë diçka. Pasi u tubuan të gjithë, Azemi e ngriti pak kokën, mori frymë thellë dhe me gjysmë zëri i nxori këto fjalë: - “Vllazën! Amanet atdheun, ruejeni dhe luftoni të bashkuem, për lirinë e tij. Të plagosurit dhe fëmijët e shokëve të vramë i përcillni në Shqipni. Ti Shotë, mos u ndaj nga çeta. E di që kurrë s’ke me e korit emrin dhe trimënin tande. Lamtumirë vllazën! Kosova e ju më dhatë fuqi, zemër e krah në luftë. Edhe i vdekun kam dëshirë me luftue bashkë me ju. Prandaj trupin tim me ma djeg ose me ma qit në nji pus të thellë. Anmiku nuk duhet të merr vesh për vdekjen time. Trimat nuk kanë kohë të përloten. Shtrëngoni armët, lufta nuk duhet të ndërpritet!”
Fjala i mbeti në gjysmë. E lëshoi shpirti në prehërin e Shotës. Trimat përreth e ulën kokën dhe nuk u përmbajtën dot. Filluan të qajnë në heshtje. Shota ishte shtangur, herë e shikonte Azemin e herë shokët. Dikur edhe asaj i rrodhën lotët. Shpejt u ngrit në këmbë i fshiu lotët dhe iu drejtua shokëve: “Shokë, mos qani se, Azemi na tha s’ka kohë për përlotje. As unë nuk u durova dhe kërkoj falje. Tash të mendojmë se si të veprojmë. Ku ta fshehim kufomën, në mënyrë që armiku mos ta diktojë vdekjen e tij? Kështu na porositi edhe Azemi. Kjo ishte dëshira e tij e fundit”.
Pas këtye fjalëve, trimat u ngritën në këmbë dhe pasi ia shëndoshën kryet Shotës, për burrin dhe shokun e luftës, filluan nga puna. Pati propozime të ndryshme: të digjet, të hidhet në lumin Dri, të varroset pranë ndonjë gardhi ose të qitet në ndonjë pus të thellë të pashfrytëzuar. Asnjëri propozim nuk u miratua si i qëlluar. Dikur njeriu i asaj ane, Halim Ngucati - Përçeva, e gjeti shpellën e thellë 73 metra që quhej “Çuku që kërset”. Të gjithë u pajtuan që ta lë shojnë në të.
Natën, po i hetuar askush, iu afruan shpellës. Edhe një herë e ndalën kufomën dhe të gjithë u betuan se këtë varrim do ta mbajnë sekret dhe luftën do ta vazhdojnë në emrin e Azemit, duke e përdorur thirrjen tashmë të njohur: “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICEN!” Të mbështjellë mirë e mirë me jorgana, duke ia vënë edhe një jastëk nën kokë, e të lidhur me shoka e nisin grykës së shpellës. Që të ruhej më lehtë sekreti, shumica e luftëtarëve ndalen më larg shpellës. Te gryka e saj afrohen: Bekë Hyseni - Galica, Zenel Ujkani, Mehmet Konjuhi, Shaban Manxholli, Hamit Bajqinovci, Halim Përçeva dhe Kadri Imer Berisha. Këta nën urdhrin e Shotës me litar dhe me shoka, e lëshuan ngadalë në shpellë. Me degë lisash e ferra e maskuan hyrjen e shpellës. Edhe njëherë para se të largoheshin, Shota me zërin e saj rrëqethës thirri sa ushtuan malet: “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICËN!”
Çetat u shpërndanë. Mehmet Delia kaloi në Drenicë, Mehmet Konjuhi në Llap, ndërsa çeta e Azem Bejtë Galicës, tash nën udhëheqjen e Shotë Galicës, kaloi në Shqipëri, duke i marrë me vete disa fëmijë jetimë.
O, PRITNE AZEM GALICËN, SE EDHE NGA TOKA PO FLUTURON
Trimat dhe njerëzit e mëdhenj nuk vdesin. Ata vetëm ndërrojnë jetë për të vazhduar në përjetësi. Edhe shrkimtari i madh frëng Viktor Hygoi pati thënë “Në momentin e vdekjes, njerëzit e mëdhenj lindin”. Në shikim të parë kjo duket paradoksale, por është thënie e thellë filozofike me domethënie të qartë. Kjo më së miri i përgjigjet kryetrimit tonë Azem Bejtë Galica. Ai jetoi pak, vetëm 35 vjet, por veprat heroike e bënë të pavdekshëm.. Emri i tij do të rrojë sa të ekzistojnë njerëzit mbi tokë.
Në të vërtetë pas vitit 1924, kur u varros në zemrën e tokës meme, 73 metra thellësi, për disa vite, sa ekzistuan çetat haçake edhe ai jetoi bashkë me to. Më vonë sikur u ndrydh si një vullkan i pashuar në thellësinë e errët të shpellës bashkë me eshtrat, për të shpërthyer përsëri edhe më furishëm. Formalisht u hesht emri i tij, në sy të pushtetit. Ne zemrën e çdo shqiptari ai gjallonte. Si zakonisht, përmendoren më të bukur ia ngriti populli. Epika jonë popullore i bëri të pavdekshëm trimat tanë. Ajo me besnikërinë më të madhe i regjistroi ngjarjet tona historike dhe u bëri sfidë të gjitha regjimeve të kohës. Në odat tona-shkolla përherë në të njëjtin vend kanë qëndruar pushka dhe lahuta. Ato e kanë plotësuar njëra-tjetrën, kur pushonte pushka e vazhdonte lahuta.
Lahutari, pleqnari dhe humoristi i njohur drenicar Dervish Goxhuli e hartoi këngën për Azem Bejtë Galicën, të gjatë 195 vargje. Ky është autor edhe i shumë këngëve të tjera të trimërisë. Të gjithë pleqtë pajtohen se Dervishi i ka thurur këngët për Azem Bejtën, Ahmet Delinë, Dan Derocin, Nak Berishën, Zenel Baicën, Lec Gradicën, etj. Ai në biseda me njerëz, zakonisht me ata që kërkonin këngë pa bërë asgjë, u thoshte: “Kënga del nga gryka e pushkës”.
Amanetin e kryetrimit, që vdekja e tij të mbahej e fshehur, e dërguan në vend shokët e tij. Atë e kuptoi edhe toka mëmë e Kosovës martire. Ajo e futi thellë në zemër birin e saj dhe e ruajti me besnikërinë më të madhe plot 47 vjet. E ruajti si nëna fëmijën në bark derisa i erdhi koha për ta nxjerrë jashtë, në dritë. Kur arriti dita e bardhë Azem Bejtë Galica “fluturoi” nga thellësia e shpellës në sipërfaqen e tokës.
Çdo kohë i ka heronjtë e vet. Për vepra të mëdha sikur janë të përcaktuar njerëzit. Kështu për nxjerrjen e eshtrave të kryetrimit të Drenicës fati e kishte përcaktuar mësuesin dhe patriotin e Drenocit të Vlashit, Abdyl Selim Krasniqi. Ai këtë mision të shenjtë e kreu në moshën 35-vjeçare, moshë kjo që përkonte me moshën sa kishte jetuar kryetrimi. Këtë ide e kishte pasur kaherë në kokë, por rrëfimet e dajës e frymëzuan dhe ia ngritën në një ideal të pashuar.
Siç rrëfen vetë Abdyl S. Krasniqi moment vendimtar për ta ndërmarrë këtë akt heroik ishte beseda me dajën e vet, Kadri Imer Berishën nga Gjurgjeviku i Madh. Një ditë Kadriu kishte vajtur te Abdyli. Dajë e nip po e dëgjonin Radio-Prishtinën, emisionin: Urime dhe përshëndetje. Aty u këndua një këngë për Azem Bejtë Galicën. Kadriut filluan t’i rrjedhin lotët nga mallëngjimi. Abdyli e kishte vërejtur. Pas pak e kishte pyetur dajën pse po qan? Ai pa një pa dy iu kishte përgjigjur. “Si mos të qaj, o nip, Azem Bejtën e kam pasur jo vetëm udhëheqës, por edhe shok e vëlla. Ai jo vetëm se ishte trim, por edhe i vlefshëm për popullin tonë... E sot... kur po e kujtoj se varri i tij s’gjendet kund, sepse me duart e mia e kam lëshuar kufomën e tij në një shpellë...”
Abdyl Krasniqi
Fill pas kësaj Abdyli iu rrek punës. Kur i bëri planet e duhura e formoi ekspeditën prej 50 vetash nga fshatrat: Drenoc i Vlashit, Kijevë, Gjurgjevik, Rigjevë, Gllarevë dhe Përçevë.
Më 22 maj 1971, në orën 09:00, iu afruan grykës së shpellës “Çuku që kërset”. Duke e menduar shpellën shumë të thellë me vete kishin marrë një litar të gjatë 100 metra. Abdyli i përgatitur mirë, shpirtërisht dhe fizikisht, vendosi të lëshohet gurmazit të asaj shpelle enigmatike, nëpër të cilën pos Azemit të vdekur nuk kishte kaluar askush. Me vete e kishte maskën dhe llambën e karbitit, të cilën e kishte siguruar në xeheroren e kromit në Zatriq të Rahovecit. Litarin e mbanin dajë Kadri Imeri Berisha dhe i unxhi Sadri Krasniqi. Bashkë me të në shpellë u lëshua edhe Cen Gashi nga Përçeva. Në thellësinë prej 40 metra llamba u fik dy herë. Aty, në atë zonë, bënte shumë ftohtë. E shkundën litarin për t’i tërhequr lart. Pasi vishen me rroba më të trasha lëshohen përsëri. Në gjysmë të shpellës ndalet Cen Gashi për ta drejtuar litarin, se hyrja e shpellës ishte zik-zake. Me te u ndal edhe Rexhep krasniqi.
Sakaq Abdyl Krasniqi u gjend në fund të shpellës së errët e të ftohtë. Ai filloi të hiqte gurë e dhe, që për 47 vjet kishin rënduar mbi skeletin e Azem Bejtë Galicës, në këtë thellësi prej 73 metrash. Pas 9 orë pune të pandërprerë, me shat e lopatë, me kujdesin më të madh u grumbulluan eshtrat e trimit të pavdekshëm. Ata i vendosin në çarçafin e bardhë (me kohë e kishte siguruar për këtë qëllim) dhe pasi i vuri para vetes, në gjoks, e lëkundi litarin për ta tërhequr lart. U nxorën në dritën e diellit të këndshëm të majit eshtrat e të madhit simbol të trimërisë e të qëndresës heroike të këtij populli, Azem Bejtë Galica. U nxorën nën thirrjen simbolike të Abdyl Krasniqit: “O, pritne Azem Galicën, se edhe nga toka po fluturon!” Akt rrëqethës ky, i cili u la me lot mallëngjimi si nga bashkëkohanikët e bashkëluftëtarët e Azem Bejtës, që merrnin pjesë aty, e nga të tjerët.
Derisa u bënë përgatitjet për rivarrim në Galicë, eshtrat u ruajtën nën kujdesin më të madh në odën e Cen Gashit në Përçevë.
Nga ky akt heroik i zbulimit të eshtrave të heroit legjendar, Azem Bejtë Galica, lindi edhe vepra poetike me titullin simbolik “SHPELLA”, e cila u botua më 1992 në Prizren. Vargjet e para të kësaj vepre lindën pikërisht në vitin 1971. Bile, siç thotë autori, qysh kur i preku eshtrat me dorë u entuziazmua dhe iu drejtua kryetrimit.
Ngritu burrë Azem Galica
se lart të pret e gjithë Drenica!
Pas një dialogu të imagjinuar mes autorit dhe shpellës fillon edhe midis autorit dhe Azem Bejtë Galicës, i cili sikur pyet.
- Ku është Kosova?
A është Drenica?
Kanë ende Plisa
apo: kanë vu t’zezat kapica?
Ku janë shokët?
A është Çyçavica?
A e kam, vallë kullën?
Si qëndron Galica?1
Poeti pasi i bën edhe ca përgjigje të përgjithshme ia kthen:
E tani, Ti, Azem Bejta, jeton shumë lart:
Simbol të kemi për Atdhe:
dritë shpërndan, si yll i zjarrtë
si i famëshmi Skënderbe.
“Luan Drenice” tani të quajnë
dhe vogëlushët e fshatit tim
se në faqet e librit (ani pse vonë)
lexojmë për Ty, o Trim.
Vepra madhështore e Abdyl Krasniqit, nxjerrja e eshtrave nga shpella e thellë 73 metra, nga varri më i thellë në botë, jehoi shumë larg. Për të dëgjuan edhe organet e pushtetit. Dora e tyre e gjatë arriti edhe në shkollën ku punonte mësues Abdyli. Më 21 shtator 1971 iu dorëzua vendimi për largim nga punë, si “i dyshimtë”. Kështu kaluan plot 8 vjet e 19 ditë pa punë, duke jetuar vetë i 13-ti. Ra në 19 seanca gjyqësore derisa u kthye në punë si i pafajshëm. Ishte kjo një rrugë e gjatë e me pasoja, sidomos për fëmijët e tij. Mirëpo, nuk shkoi kohë e gjatë dhe përsëri për Abdylin filluan “vizitat” nga ana e pushtetmbajtësve. Më 1981 e kontrolluan dhe e bastisën. Ndërsa më 19 shtator 1984 e arrrestojnë dhe e burgosin në Pejë. Aty e maltretojnë aq rëndë sa nuk e ndal as Klinika e Prishtinës, por e dërgojnë në Zagreb. Pasi qëndroi një muaj në spital “REBRO” të Zagrebit, u kthye në punë. Tash u organizua diferencimi ideopolitik dhe me 1985 e dërguan në pension të parakohshëm. Edhe pas kësaj, herë pas here, e bezdisnin dhe nuk e linin rehat organet policore. Më 1995, Abdyl Krasniqi vuan në burgun serbosllav, ku u dënua në Pejë më pesë vjet heqje lirie…
Gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së gjaku i tij u shndërrua në lulëkuqe lirie. Mbi dhjetë pushkë ia fali atdheut të sakatosur nga barbaria serbosllave. Lirsisë ia fali edhe më të dashurën e shpirtit, vajzën e madhe, heroinë Xhevën.
Po sot ç’bën Abdyl Krasniqi?
Si gjithëherë, punë të mëdha atdhetarie. Edhe pse në moshë të thyer e i mërzitur nga zezonat e jetës hileqare, që nuk po e kursejnë për asnjë çast (djali i tij, Selimi, po vuan prapa grilash), baca Dyl ia ka nisur një vepre madhështore: Ringjalljes së dytë të Azem Galicës! Kompleksi Memorial “AZEM GALICA” po lëshon shtat praën shpellës “Çuku që kërcet”…
RIVARRIMI I ESHTRAVE NË GALICË
Pasi u nxorën eshtrat dhe u vendosën në vend të sigurt, në arkën e odës së Cen Gashit, u nisën lajmëtarët për në Galicë. Vendlindja e këtij trimi këtë sihariq e priti me gëzim. I madh e i vogël u çuan në këmbë për ta pritur birin e tyre, i cili pas 47 vjetësh po kthehej në vendlindje për t’u prehur aty ku kishte lindur.
Vërtet, një javë pas ngjarjes së bujshme, më 27 maj 1971,një delegacion nga fshatrat Përçevë, Gllarevë e Drenoc i Vlashit erdhën në Galicë. E lajmëruan fshatin dhe e kërkuan ndonjë më të afërm të Azemit. U takuan me Adem Sahitin dhe bashkë shkuan në Klinë të Poshtme, për ta lajmëruar vajzën e kryetrimit, AZEMINEN. Përsëri të gjithë bashkë kthehen në Galicë. Galicasit e thërrasin Kuvendin dhe e vendosin që rivarrimi i eshtrave të bëhet në vendin ku ishte zhvilluar beteja e fundit, aty ku e kishte kullën.
Po atë natë në komunën e Vushtrrisë është formuar komisioni për bartjen e eshtrave me këtë përbërje: Adem Sahiti, Qamil Hajdari dhe Branko Vojinoviqi. Nga Prishtina është paralajmëruar se sa më shpejt duhet bërë rivarrimin, sepse ka intenca të dërgohen eshtrat në Beograd për ekspertizë mjekësore. Edhe nga Vatikani pati interesime tër këta eshtra.
Të nesërmen, në orën 07:00, me automobilin e komunës së Vushtrrisë janë nisur për rrugë. Në Kijevë u ka ra ndërmend porosia e Azem Bejtë Galicës që dora e shkaut nuk bën ta prekë as për së vdekuri dhe e kanë zbritur Branko Vojinoviqin. Prej Kline i ka shoqëruar edhe kerri i policisë (vetë komandanti me dy policë). Në malin e Përçevës, te shpella “Çuku që kërset” ishte rregulluar vendi si për dasmë. Ishte pastruar terrenin përreth shpellës, ishin prerë shkurret dhe ishin shtruar qilima e sixhade. Rreth 50 burra kishin dalë në pritje. Pas një ceremonie të shkurtër të gjithë janë nisur për në shtëpinë e Cen Gashit, në Përçevë.
Te dera e kullës, ku ruheshin eshtrat, bënin roje dy burra të armatosur. Eshtrat kishin qenë në një arkë prej druri e arka e futur në dollap të mbyllur me dyer. Edhe aty u bë një ceremoni e shkurtër dhe janë nisur të gjithë për në Galicë. Delegacioni tashmë ishte rritur shumë. Rrugës vazhdimisht bashkangjiteshin njerëzit. Erdhën nga Klina, Prishtina, Vushtria, Mitrovica e nga Skënderaj.
Në Galicë, edhe pse nuk ishte lajmëruar, po grumbulloheshin njerëz. Varri ishte hapur. Njerëzit po prisnin në heshtje. Ishte një varrim i pazakonshëm. Po rivarrosej biri më i madh i tyre, heroi i Drenicës, i Kosovës dhe i mbarë Shqiptarisë, kryekomandanti i çetave kryengritëse të viteve 1915 - 1924. Po rivarrosej Azem Bejtë Galica, pas 47 vjetësh, në vendlindjen e vet. Herën e parë ishte varroshur nga 4-5 veta në Varrin-Shpellë, të thellë 73 metra, e tash po e varrisnin qindra e mijëra vetë, në varr të zakonshëm.
Shumica e njerëzve kishin dalë te xeherorja e Magnezitit, pranë Zyrës së vendit dhe po e pritnin delegacionin me eshtrat. Dikur, pasdite arritën. Brenda në zyrë e bënë përgatitjet e nevojshme. Aty hynë Adem Sahiti, Abdyl Krasniqi, Cen Gashi, Fevzi Dërvari dhe mjeku nga Prespa, Sako Sakoja, drejtor i atëhershëm i Shtëpisë së Shëndetit në Vushtrri. Pasi u nxorën eshtrat nga arka dhe u radhitën nga mjeku i lartpërmendur në arkivolin e ndërtuar nga punëtorët e NP “KOSOVA”, të cilin e mbuluan me flamurin kombëtar, dolën në oborr. Prej aty arkivoli bartet në duar, sipas zakonit deri në Galicë. Pas shkonte kortezhi i gjatë i njerëzve dhe i nxënësve.
Te varri prisnin të tjerët. Aty kishte ardhur edhe bashkëluftëtari i Azemit, Emin Lati i Prekazit (babagjysh i Tahir Mehës), i cili dridhej nga pleqëria. Ai kërkoi patjetër t’ia zbulojnë arkivolin. U afrua, i lëmoi eshtrat me dorën që i dridhej dhe iu drejtua me këto fjalë: “Azem, vëlla, ma bân halalh se kur jemi nda për herë të fundit nuk jemi përshëndetun!” Disa pika lotësh i rodhën faqeve. Mezi i fshiu dhe iu drejtua masës: “Më falni vllazën, se jemi djeg e jemi vra e s’kemi kajt, por tash jam plakun dhe më mallëngjeu shoku i luftës”.
Pasi u kryen ceremonitë dhe ritet e zakonshme, u bë varrimi i eshtrave. Pra, më 28 maj 1971, në orën 18:30 minuta, u rivarrosën eshtrat e Azem Bejtë Galicës aty ku e kishte zhvilluar betejën e fundit, Epopenë e lavdishme më 15 korrik 1924.
Për disa vjet rresht përsëri sikur u desh të heshtë. Varri mbeti pa “shenjë pa dokë”, siç thotë populli. Vinin vizitorë nga të gjitha anët e Kosovës dhe secili ishte i gatshëm të hapte qesën për rregullimin e varrit. Edhe kolektivi i shkollës fillore në Prekaz, që e mbante emrin e këtij trimi, për çdo vit sillnin kurora mbi varrin e tij të parregulluar.
Lëvizjet e mëdha Demokratike të shqiptarëve bënë ndryshime kudo në Kosovë dhe në Shqipëri. Edhe në fshatin Galicë u hetuan këto ndryshime. Më 11.V.1990 u formua nëndega e LDK-së në Galicë, e cila që në mbledhjen e parë, më 13.V.1990, te Lisat e Vorreve, mori vendim, që me mjete vetanake, të rregullohej obelisku i Azem Bejtë Galicës. Dhe, kjo punë u bë shpejt. E me vullnet. Më 25 korrik 1990 Galica kishte festë. Po mbahej një Tubim i Madh Popullor, asi çfarë i organizonte Azemi sa ishte gjallë. Që në orët e hershme të mëngjesit nga të katër anët kolonat me “krushq” me flamuj në ballë po marshonin drejt Galicës. Mbi 30.000 mijë qytetarë erdhën në Galicën kreshnike. Galicasit të gjithë tok: burra, gra pleq, fëmijë, atë natë s’kishin fjetur fare. Në fshatin e tyre po vinte e tërë Kosova. Mysafirët duhej pritur mirë. Të gjithë punonin duke mos kursyer asgjë.
Në orën 10:00 filloi progami i paraparë. Në fillim u bë zbulimi i obeliskut (u mendua se mund të vijnë policia dhe ashtu doli) nga delegacioni:
1. Rushit Godeni, nga Pomazotini, bashkëluftëtar i Azemit
2. Abdyl Krasniqi ,mësuesi që i nxori ështrat, dhe
3. Azeminja, e bija e tij.
Te obelisku i mbuluar me flamurin kombëtar e sollën plakun 111-vjeçar, i cili me mund e zbuloi. Një copë herë e shikoi fotografinë e Azemit dhe duke e lëmuar ngadalë pyeti: “Ai âsht ky Azemi, apo m’bâjnë sytë?!
-“Azemi është, Azemi” - i thanë të pranishmit.
- Ai afrohet dhe e puth duke i thënë: “AZEM, A T’KAM THANË SE NJI DITË DO TË TAKOHEMI? FOL HE BURRË!” - dhe i rrodhën lotët faqeve. Të gjithë u mallëngjyen dhe shumëkujt i dolën lotët. Ia sollën një karrigë dhe e lutën t’i thotë dy-tri fjalë për Azemin. Kur u ul tha: “AZEM GALICA A KÂNË TRIM I MADH. AI ISHTE I DREJTË DHE I PASTËR. KUR DOLËM MALEVE NA THA: “NE QË DOLËM NË MAL MÂ S’KEMI GRA, VLLAZEN E AS F’MIJË, NE E KEMI VETËM ATDHEUN, PËR LIRINË E T’CILIT LUFTOJMË. EDHE ATËHERË, SIKURSE EDHE SOT NUK I BÂMË ASKUJT ASGJÂ, POR LUFTUEM PËR TË DREJTAT TONA QË NA I MORI HASMI. HASMI YNË ÂSHT SERBIA...”
Kur u krye ceremonia e zbulimit u kthyen te bina e zbukuruar, në ballë të së cilës qëndronte portreti i Azem Bejtë Galicës i rrethuar me flamur kombëtar. U përshëndetën mysafirët, u lexua referati kryesor për jetën dhe luftën e tij, u evokuan kujtime nga njerëz të ndryshëm, u lexuan vjersha, etj. Derisa po lexone Abdyl Krasniqi vargje nga “SHPELLA”, ku pos tjerash tha: “Eshtrat e Azemit nuk i xora unë. Ata i nxori besa dhe koha” - erdhën policia dhe urdhëruan të ndërpritet programi. Që të mos ndodhi më e keqja, galicasit i ftuan mysafirët në drekë, nëpër odat e fshatit për të vazhduar pasreke pa pengesa. Kah mbrëmja, të kënaqur me programin artistik, u shpërndanë.
Për këtë ngjarje të madhe, të nesërmën shkroi “Rilindja”, ndërsa, më 29.VII.1990, Rushit Ramabaja e shkroi reportazhin me titull “Takimi në Drenicë”.
Varrezat e kryeheronjve ( Galicë, 2004 )
( fundi i pjesës - III )
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
|
|
|
|
|
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 98 vizitorë |
Lexuar:
9,225 herë
|
|
|
|
|
|
|