Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
“UDHËHEQËSI QË BËRI EPOKË” (XIX)
Publikuar më 17 korrik, 2009 në orën 23:50 ( ) Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
- Duhej mbajtur Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar. Partia dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar kishin kohë që përgatiteshin për organizimin e saj. Kjo Konferencë u thirr me nismën e Enver Hoxhës i mbështetur nga KQ i Partisë dhe me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Punimet e saj u vendos të mbaheshin në Labinot, më 4 - 9 shtator 1943, në Shtëpinë e Sami Bahollit, atje ku ishte mbajtur dhe Konferenca e Parë e Vendit e PKSH.
Për mbajtjen e kësaj Konference ideja nuk lindi papritur në fundin e gushtit 1943, ajo as u mbajt për ato që ndodhën në Mukje. Situata e gushtit 1943 dhe Mukja shërbyen si faktorë që përshpejtuan mbledhjen e Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare. Enver Hoxha dhe PKSH tregoheshin në veçanti shumë të vëmendshëm në rastet kur organizoheshin mbledhje të përmasave kombëtare dhe nuk lejonin që ato të bëheshin si rastësisht; ai u mor personalisht me organizimin e përgatitjet e Konferencës deri në hollësi.
Qysh në Konferencën e Pezës në shtator 1942, në të cilën u hodhën themelet e Frontit e të këshillave nacionalçlirimtarë, ne theksuam - shkruan Enver Hoxha - se në të ardhmen, kur këshillat të qenë ngritur e shtrirë në pjesën më të madhe të territorit të vendit, kur të qe rritur e konsoliduar roli e autoriteti i tyre në popull, duhej të organizohej Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare për të bërë bilancin e asaj ç’qe arritur e për të përcaktuar detyrat për të ardhmen. Konferenca e Parë e PKSH e marsit 1943, duke vlerësuar punën e madhe që ishte bërë në këtë drejtim të rëndësishëm të luftës, arriti në përfundimin se kushtet për Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar po piqeshin, kurse, pak muaj më pas, në mbledhjen e korrikut 1943, Këshilli i Përgjithshëm në Labinot, vendosi përfundimisht për thirrjen e saj në një të ardhme të afërt.
Enver Hoxha, pasi mori pjesë në inaugurimin e Brigadës së Parë Sulmuese, më 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës, që nga Vithkuqi, bashkë me disa shokë të tjerë, pas një marshimi të gjatë e të pandërprerë, duke kaluar përmes Gorës, Oparit e zonave të Librazhdit, arrin në dhjetëditëshin e fundit të gushtit në Labinot të Elbasanit. Me shokët e Byrosë Politike të KQ të PKSH, që kishin mundur të vinin në Labinot, organizon një mbledhje në të cilën iu kërkua Ymer Dishnicës të bënte një raportim të hollësishëm për Mbledhjen e Mukjes. Ky, edhe pse e pranoi fajin, në analizën që bëri Byroja Politike u përpoq të justifikohej e ta largonte atë nga vetja. Ndaj Byroja Politike propozoi përjashtimin e tij nga radhët e saj, po shqyrtimi e vendosja e kësaj çështjeje u la të bëhej në mbledhjen e rregullt të KQ të PKSH-së.
Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare i filloi punimet, më 4 shtator 1943, në Labinot. Në të morën pjesë afro 50 delegatë, të zgjedhur nga këshillat nacionalçlirimtarë nga i gjithë vendi, delegatë të organizatave antifashiste, që kishin aderuar në Frontin Nacionalçlirimtar, të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Abaz Kupi mungonte, po si ftesa, ashtu dhe problemet që do të diskutoheshin, i ishin dërguar si gjithë të tjerëve në kohën e duhur.
Problemi kryesor që trajtoi Konferenca ishte çështja e pushtetit demokratik popullor në Shqipëri, e cila, me thellimin e procesit revolucionar të luftës, merrte një rëndësi gjithnjë më të madhe, aq më tepër që Balli Kombëtar dhe reaksioni në përgjithësi bënin të gjitha përpjekjet për të marrë pushtetin politik në duart e tyre.
Sikurse ishte vendosur, në Konferencë janë mbajtur 6 referate, ka pasur shumë diskutime e debate, ndër të cilët shquhen Medar Shtylla, Omer Nishani, Nako Spiru, Spiro Moisiu, Baba Faja, Hasan Pulo, Abdyl Agalliu, Ramadan Çitaku, Et’hem Bajrami, Spiro Koleka. Kanë folur dhe Koço Tashko, Sejfulla Malëshova, Hulusi Spahiu, Ymer Dishnica, Kadri Hoxha e ndonjë tjetër. Si referatet dhe diskutimet janë përshkuar nga një ide e përbashkët: pushteti duhet të centralizohej, të shpallej pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri dhe të bëheshin të gjitha përpjekjet që ky pushtet të ushtronte sa më mirë detyrat e rolin e tij në gjithë vendin, si dhe të forcohej e të mbrohej si pushtet i pacenueshëm i popullit kryengritës.
Konferenca ka vlerësuar se punët nuk ecnin si në vaj. Në ato momente Enver Hoxha theksonte se në veprimtarinë e këshillave kishte të meta e dobësi. Po kryesorja ishte se këshillat ekzistonin e vepronin, njiheshin nga populli dhe luanin rolin e pushtetit të popullit. Ky realitet duhej ligjëruar e duhej shpallur, që të mos e rrëmbenin të tjerët. Rreth këtij problemi Enver Hoxha kishte përgatitur dhe mbajti në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare referatin me temë “Mbi qëndrimin kundrejt rrymave të ndryshme jashtë Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Në referat ai u bën një analizë të plotë vijës e punës së Partisë për krijimin e forcimin e Frontit e të këshillave nacionalçlirimtarë, trajtonte me hollësi çështjen e Ballit Kombëtar dhe Mbledhjen e Mukjes, ka theksuar se ballistët tani që hodhëm poshtë ujdinë e Mukjes po përpiqen të gjejnë shtigje të tjera drejt pushtetit dhe ka propozuar që Konferenca të merrte vendim për t’i shpallur këshillat nacionalçlirimtare pushtet të vetëm të popullit në Shqipëri.
Pjesëmarrësit dhe ata që kanë diskutuar në Konferencë kanë mbështetur me duartrokitje referatin e Enver Hoxhës, kanë pranuar konkluzionet e Komitetit Qendror të paraqitura në Konferencë prej tij, kanë aprovuar qëndrimin e mbajtur prej Këshillit të Përgjithshëm ndaj Ballit Kombëtar e rrymave të tjera në përgjithësi e ndaj Mukjes në veçanti. Në diskutimin e tij Ymer Dishnica edhe këtu e ka pranuar, në përgjithësi, fajin e madh që kishte bërë, po sërish është përpjekur të justifikonte gabimin. Gjinishi i ka bërë bisht përgjegjësisë duke nxjerrë lloj - lloj justifikimesh, po ndërhyrjet e Enver Hoxhës dhe të diskutantëve të tjerë nuk e kanë lejuar të kalonte lehtë një gjë të tillë.
Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare e Labinotit e dënoi botërisht Marrëveshjen e Mukjes si një akt që cenonte parimet themelore të Konferencës së Pezës dhe ishte kundër interesave të Luftës Nacionalçlirimtare e të bashkimit të popullit shqiptar. Ajo i shpalli këshillat nacionalçlirimtarë si pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri. Me këtë vendim dënoi me forcë kompromisin tradhtar të Mukjes për ndarjen e pushtetit me Ballin Kombëtar, u dha një goditje të fortë përpjekjeve të reaksionit për marrjen e pushtetit dhe afirmoi një realitet të madh historik: lindjen e pushtetit popullor në zjarrin e luftës. Vendimet që mori Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare për luftën e armatosur të popullit shqiptar dhe për pushtetin e tij patën vlera të jashtëzakonshme, prandaj ajo do të mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vargun e ngjarjeve të mëdha të LANÇ - it.
Në përfundim të punimeve të saj, Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare mori një varg masash që shërbenin për forcimin e zgjerimin e bazës demokratike dhe për centralizimin e pushtetit popullor, e rriti Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në 62 anëtarë nga 7 anëtarë të zgjedhur në Konferencën e Pezës. Nga ana e tij, Këshilli zgjodhi Kryesinë e vet të përbërë prej 16 anëtarësh: Mustafa Xhani, Myslim Peza, Omer Nishani, Enver Hoxha, Kostë Boshnjaku, Ymer Dishnica, Ollga Plumbi, Liri Gega, Haxhi Lleshi, Fetah Ekmekçiu, Medar Shtylla, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi dhe Spiro Moisiu. Konferenca hartoi e pranoi Statutin e Rregulloren e Këshillave Nacionalçlirimtarë, dokumente këto me rëndësi kushtetuese dhe vendosi që të ngriheshin organet ekzekutive me aparatin e tyre administrativo - ekonomik. Në këtë kohë vendi po hynte në rrugën e ndërtimit të shtetit të ri demokratik.
Enver Hoxha tregoi interesim të veçantë që në Konferencë të zinin vendin e duhur problemet e rinisë, të grave e të universitarëve, për të cilat folën Nako Spiru, Nexhmije Xhuglini, Ollga Plumbi, Ela Gjikondi. Ajo njohu organizatat e Bashkimit të Rinisë Antifashiste, të Bashkimit të Grave Antifashiste, të Bashkimit të Universitarëve Antifashistë, të krijuara pak kohë përpara nën kujdesin e Partisë Komuniste. Konferenca propozoi që këtyre organizatave, që ishin pjesë përbërëse të Frontit Nacionalçlirimtar, që përfshinin masat e të rinjve e të grave prej klasave e shtresave të ndryshme të vendit dhe që nuk kishin program tjetër veç atij të Frontit, t’u jepej një ndihmë e përkrahje sa më e madhe.

Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare e Labinotit nuk ushqeu ndonjë shpresë se Balli Kombëtar mund të hiqte dorë nga rruga e tradhtisë, ndaj u vendos të mbahej kundrejt tij një qëndrim i prerë: të demaskoheshin deri në fund politika e tij antikombëtare e antipopullore, demagogjia e tij për bashkim, synimet e tij për të mbjellë përçarje e për të shkaktuar vëllavrasjen. Ndërkohë, u dha porosi që të mos hiqej dorë nga përpjekjet për të shfrytëzuar qoftë dhe momentin më të vogël për bashkëpunim me Ballin dhe rrymat e tjera politike jashtë lëvizjes nacionalçlirimtare, por vetëm në bazë të platformës së Konferencës së Pezës dhe, para së gjithash, në bazë të pjesëmarrjes në luftën pa kompromis e pa ndërprerje kundër pushtuesve, si dhe të pranimit të këshillave nacionalçlirimtarë si i vetmi pushtet i popullit. Mbështetur në vendimet e Konferencës së Labinotit, Enver Hoxha në emër të Komitetit Qendror të PKSH i porosiste komitetet qarkore të paraqisnin mirë në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar vëllavrasjeje, t’i bëhej e qartë atij se politika e Ballit çonte në përpjekje me armë dhe të arrihej që i tërë populli të revoltohej për këtë gjë dhe përgjegjësitë të binin, siç ishte e vërteta, mbi Ballin Kombëtar.



XV

Udhëheqësi i PKSH dhe Komisari Politik i Shtabit të Përgjithshëm vlerësonte se kryesor mbetej problemi i forcimit të ushtrisë. Ai vuri në veprim të gjitha aftësitë e tij për krijimin, rritjen dhe forcimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndoqi me kujdes punën për formimin e organizimin e formacioneve të mëdha të saj, për t’i kompletuar me armatime e me kuadro ushtarakë dhe mori pjesë drejtpërdrejtë në përurimin e tyre, duke filluar me Brigadën e Parë Sulmuese .
Në vjeshtë të vitit 1943, Komiteti Qendror i PKSH udhëzonte që në Ushtrinë Nacionalçlirimtare të hynte shumica e anëtarëve të Partisë dhe e të rinjve komunistë. Kësaj thirrjeje iu përgjigjën me mijëra të rinj nga radhët e fshatarëve, të punëtorëve e të nxënësve. Që nga 10 korriku 1943, Ushtria Nacionalçlirimtare ishte rritur dyfish, u formuan në vjeshtë dy brigada të reja partizane, Brigada e Dytë, Brigada e Tretë e kështu me radhë.
Në krye të Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha udhëhiqte veprimet luftarake, drejtonte dhe ndiqte me kujdes zbatimin e planeve të tij për formimin e brigadave, grupeve e batalioneve të reja partizane, për përgatitjen e aftësimin e kuadrove dhe për sigurimin e ushqimeve e të veshmbathjes, kritikonte dhe vinte në udhë të drejtë ato komanda që shkelnin ose nuk zbatonin me mjeshtëri kërkesat e luftës partizane. Masat që mori Shtabi i Përgjithshëm bënë të dështonte çdo përpjekje e gjermanëve për të vënë në zbatim taktikën e tyre të luftës kundër partizanëve dhe për t’u imponuar reparteve partizane luftën frontale. Arritjet në luftën kundër pushtuesve gjermanë, zgjerimi dhe forcimi i pushtetit popullor e rritën më shumë autoritetin e PKSH, shpejtuan dështimin e hitlerianëve dhe të reaksionit të brendshëm e të atij imperialist anglo - amerikan për të veçuar partizanët nga populli; masat popullore u bënë më të ndërgjegjshme për nevojën e luftës pa kompromis deri në fitoren përfundimtare.
Pushtuesit gjermanë dhe tradhtarët e vendit nuk mund të pajtoheshin me gjendjen dhe për ta ndryshuar situatën në dobi të vet vunë në veprim të tëra forcat, duke goditur pa mëshirë Partinë Komuniste dhe UNÇSH. Në dimrin e vitit 1943 - 1944, pushtuesit gjermanë vendosën të organizonin me ndihmën e tradhtarëve një mësymje të përgjithshme ushtarake, më e madhja e më e egra në historinë e Luftës, për të asgjësuar PKSH, Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe forcën e tyre të armatosur - Ushtrinë Nacionalçlirimtare.
Komanda gjermane përdori për t’ia arritur qëllimit të saj katër divizione dhe disa mijëra ballistë e zogistë, me rreth 45 mijë veta, ndërsa Ushtria Nacionalçlirimtare kishte në këtë kohë 20 mijë luftëtarë. Po nazistët e dinin se në Shqipëri kishin kundërshtar gjithë popullin e jo vetëm partizanët, prandaj e vlerësonin të pamjaftueshëm numrin e forcave të tyre për të zhvilluar mësymjen e përgjithshme me anë të një operacioni të vetëm e të menjëhershëm. Ata gjeten si rrugën më të përshtatshme kryerjen e një vargu operacionesh njëri pas tjetrit, në zona të ndryshme të vendit e në qytetet kryesore, për ta asgjësuar Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar pjesë - pjesë. Operacioni i parë armik i këtij vargu u krye në Pezë, në nëntor 1943 dhe mësymja e përgjithshme armike u mbyll me operacionin në Malësitë e Gjakovës, në shkurt 1944.
Ndryshe nga ç’e kishin menduar, trupat armike ndeshën kudo në qëndresën heroike të partizanëve e të popullit. Dhe pse në rrethana tepër të vështira, përballë një kundërshtari tri - katër herë më të madh në numër e superior në mënyrë të pakrahasueshme në teknikë luftarake, repartet e njësitë e UNÇSH nuk e lejuan në asnjë rast armikun të shkelte zonat e lira pa luftime të ashpra, ruajtën në shumicën dërmuese të tyre aftësinë e gatishmërinë luftarake, manovruan me shkathtësi, u dhanë forcave gjermane e të reaksionit të brendshëm goditje dërmuese të befasishme, i detyruan të tërhiqeshin.
Në operacionin e dimrit Enver Hoxha u gjend në qendër të “ciklonit”. Si asnjë herë më parë u krijua një gjendje shumë e rrezikshme për udhëheqjen e Komitetit Qendror, të Shtabit të Përgjithshëm e të Frontit me Enver Hoxha në krye, të cilët mbetën të bllokuar nga armiqtë në zonën Çermenikë - Shëngjergj - Martanesh. Forcat naziste, balliste e zogiste përdorën të gjitha mjetet e mënyrat për të zbuluar dhe për të asgjësuar udhëheqjen e Luftës Nacionalçlirimtare, po nuk ia arritën qëllimit. Jo pak fshatarë i dinin bazat ku strehohej Enver Hoxha me shokë, po asnjëri nuk u frikësua nga kërcënimet e armiqve dhe nuk i tradhtoi Udhëheqësin, Partinë Komuniste dhe Shtabin e Përgjithshëm.
Në dimrin 1943 - 1944 u vërtetua dhe më qartë se sa të shëndosha ishin lidhjet e Partisë e të Komandantit me masat, sa e drejtë ishte vija politike e saj. Njerëz të thjeshtë të popullit, trima e patriotë, strehuan, ruajtën e shoqëruan përmes rreziqesh të mëdha Enver Hoxhën me udhëheqës të tjerë të Partisë e të LANÇ-it. Qenë këta njerëz të mrekullueshëm që dhanë gjithçka në pranverën dhe në verën e vitit 1942, kur iu desh PKSH-së dhe udhëheqjes së saj të përballonte një nga fazat më të rënda të ilegalitetit e të terrorit të pushtuesit në Tiranë. Po kështu në dimrin 1943-1944 ata dhanë gjithçka kur një pjese të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH me Enver Hoxhën në krye iu desh të përballonte ofensivën armike të dimrit, të kapërcente me gjakftohtësi e heroizëm vështirësi të jashtëzakonshme e të çante rrethimin e gjithanshëm gjermano-ballist, duke kaluar fshatrave, lumenjve, pyjeve e maleve të Elbasanit, të Librazhdit e të Gramshit, deri sa në mars 1944, me forcat e veta dhe me ndihmën e fshatarëve, dolën në zonën e lirë të Korçës, pa pësuar dëme të mëdha
Shtëpitë e ilegalëve dhe bazat e LANÇ-it janë të shumta, disa janë thënë më lart në lidhje me ngjarjet e mëdha konkrete të Luftës dhe do të mbeten të paharruara, ashtu si do të mbeten të tilla : Baraka e Nushajve, e vëllezërve Gogo, Kozma e Ksenofon Nushi, shtëpitë e Hatixhe (Ije) Farkës, Abdulla (Dullë) e Mine Ketës, Adivije e Zeqi Agollit, Adem e Sabrije Osmanit, Mersin Qylafkut, Tefta dhe Gaqo e Aleko Tashkos, Shyqyri Këllezit, Hysen Dashit, Nijazi Demit e të tjera në Tiranë; të Liko Gjonit, At Kokoneshit e At Risto Janit në Mokër; të Ali Dishës, Zenel Dishës, Sherif Çekës, Ram Çekës, Halil Bozhiqit, Ram Karagjozit, Ali Gjurës etj. në Shmil; të Ali Shtëpanit në Shëngjergj; të Zyhra Koçit e Beg Ballës në Orenjë; të Met Muzhaqit në Polis; të Ali Myftiut në Elbasan; të Myftar Hoxhës në Polis-Mirakë, të Jaho e Musa Kalisë në Fushbuall; të Adem e Qazim Koçit në Shushicë; të Muço e Mitro Bodurit në Shelcan; të Dokë Tollumit në Trepsenisht; të Foni e Spiro Dedes në Nezhan; të Belul Bicajt në Seltë; të Nezir Qetit në Stror; të Ymer Cohës e nënë Hurmasë në Galigat; të File e Kadri Musait në Kishtë; të Tare Dyrmishit në Bersnik; të Kupe Gopeshit e Jakup Kuljes në Gopesh etj. Njerëz të tillë, që i kthyen shtëpitë dhe kasollet e tyre të varfra në “seli”, ku u zhvilluan në siguri mbledhje, konferenca e aktive nga më të rëndësishmet në historinë e PKSH e të LANÇ-it, që ndanë me bijtë e bijat e Partisë edhe kafshatën e fundit të bukës, që dhanë për Partinë dhe Luftën gjithçka deri dhe jetën e tyre, do të mbeten për jetë në ndërgjegjen e popullit.“Ua kam borxh gjithë jetën këtyre njerëzve të mrekullueshëm” - shkruan Enver Hoxha, në librin
“Mes njerëzve të thjeshtë”.

Tiranë, 17 korrik 2009
VIJON
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 15 vizitorë
Lexuar: 2,050 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2025 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi