Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Servilrojat shqiptare në shërbim të Trampit
Publikuar më 29 janar, 2021 në orën 15:41 ( ) Prof. Dr. Eshref Ymeri | Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Ajo që të bënte shumë përshtypje që asokohe kur Trampi sapo i kishte fituar zgjedhjet e 08 nëntorit 2016, por veçanërisht në nismë të fushatës zgjedhore dhe gjatë zhvillimit të saj në vitin e kaluar për mandatin e dytë presidencial, ishte shprehja publike e simpatisë për Trampin nga ana e disa servilrojave shqiptare në atdheun amë dhe sidomos nga ana e disa shqiptarëve që janë qytetarë amerikanë.
Servilroja i parë ishte kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Meziu, i cili, kur Trampi kishte vetëm 15 ditë që i kishte fituar zgjedhjet, pra, pa pritur të bëhej e ditur se cili do të ishte “bulmeti i stanit” trampist në qëndrimin ndaj shqiptarëve, më 23 nëntor 2016, me një vendim unanim të këshillit bashkiak, e shpalli qytetar nderi. Kurse katër muaj më vonë, më 18 mars 2017, një rruge në Kamëz Xhelal Meziu i vuri emrin “Donald Tramp”. Ky ishte një nxitim krejt i tepruar, i ngarkuar me doza të theksuara servilizmi.
Gazetari dhe publicisti i njohur Frrok Çupi i ka kushtuar Trampit librin me titull “Po vjen Trump”.
Së pari, Frroku duhet të respektojë rregullat e drejtshkrimit të shqipes për emrat e huaj. Sipas atyre rregullave, emrat e huaj shkruhen ashtu si shqiptohen dhe mandej shënohet në kllapa drejtshkrimi i tyre në gjuhën përkatëse. Pra, libri duhej ta kishte titullin “Po vjen Trampi”.
Së dyti, Frroku duhet të respektojë mbaresat rasore të emrave, siç kërkojnë rregullat e gjuhës shqipe edhe për emrat e huaj. Prandaj, kur përdor shprehjen “… doktrinën e Trump”, duhet të respektojë mbaresën e rasës gjinore -it (doktrinën e Trump-it).
Së treti, në njërin nga prezantimet e këtij libri, kam parasysh prezantimin në Bashkinë e Lezhës, Frroku pati deklaruar:
“Trump (duhej Trump-i) e ka të vështirë të mbërrijë te ne, pasi, para së gjithash, ekziston mungesa e ideve ‘simotra’ me doktrinën e Trump”.
Pra, sipas Frrokut, Trampi nuk është mirëpritur në Shqipëri se mungojnë idetë konservatore. Sigurisht që mungojnë, se ato janë ide të djathta, por kryediktatori Hoxha punoi me perspektivë afatgjatë, duke e shfarosur djathtizmin me rrënjë e me degë. Prandaj edhe në Kuvendin e Shqipërisë, pas vendosjes së demoshëmtisë dhjetoriste, si në asnjë parlament të botës, nuk ka absolutisht krah konservator, krah nacionalist. Por, në këndvështrimin tim, Trampi nuk ka qenë i mirëpritur te ne jo për mungesë të ideve konservatore, por për një tjetër arsye madhore - për arsenalin e pikëpamjeve të tij antishqiptare, të cilat, nuk e di se për cilën arsye, Frroku i ka anashkaluar, pikëpamje që kanë qenë në sinkroni të plotë me qëndrimet tradicionalisht armiqësore të rusoserbizmit kundër kombit shqiptar, për çka qenë parashtruar një sërë faktesh në analizën me titull “Antishqiptarin e regjur e larguan nga Shtëpia e Bardhë”, të botuar javën e kaluar në disa faqe interneti.
Tani, lexuesit e librit të Frrokut janë në pritje që ai të nxjerrë nga pena vëllimin e dytë, me titull “Pse nuk erdhi Trampi?”. Mendoj se me botimin e këtij libri, Frroku ka dëshmuar se nuk e ka braktisur petkun e servilrojës që pati veshur kur Berisha ishte në pushtet, i ndryshoi bojatisjen me ardhjen e Ramës në pushtet dhe ia bëri ngjyrën edhe më të ndezur me qëndrimin ndaj Trampit. Megjithatë, do të ishte mirë që Frroku, qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tij, ta flakte petkun e servilrojës dhe të bëhej vetvetja, duke respektuar dinjitetin personal, si gazetar dhe analist i njohur, nëse është e mundur.
Për dijeninë e Frrokut, se çfarë “doktrine” ka përfaqësuar dhe përfaqëson Trampi, e di mirë vetë shumica e amerikanëve, e cila më 03 nëntor i vuri notën që meritonte, duke e zbritur nga kolltuku i Shtëpisë së Bardhë. “Doktrinën” e vet Trampi e bëri publike më 06 janar, me nxitjen e sulmeve kundër Kapitolit, të cilat u shoqëruan me 5 viktima, si kurrë ndonjëherë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Veç kësaj, “doktrina” e Trampit doli edhe më shumë në pah kur ai, në një mënyrë krejtësisht të pahijshme, braktisi ceremoninë e përurimit të Presidentit të Ri më 20 janar, një shkelje absurde kjo e traditës së shkëlqyer mbidyshekullore të zhvillimit të një ceremonie të tillë. Shqiptarët me vetëdije kombëtare kanë qenë të interesuar të dinin se cila ishte “doktrina” e Trampit që në fillim të mandatit të tij në raport me kombin shqiptar. Dhe gjatë katër vjetëve të ushtrimit të atij mandati, ata u bindën përfundimisht se “doktrina” e tij ishte kryekëput antishqiptare, në shërbim të rusoserbizmit. A e ka ditur Frroku një gjë të tillë, apo petku i servilrojës e ka penguar ta mësonte?
Sokol Pepushaj, në Platformën mediatike analitike “Pamfleti”, youtube, 06 shtator 2020, pati botuar analizën me titull “Pas Kosovës, Donald Trump do të merret me Shqipërinë, do hetohet pasuria e hajdutëve të 28 viteve”. Sapo e lexova, menjëherë i shtrova vetes pyetjen;
Sokoli e kishte me gjithë mend për atë ç’ka kishte shkruar, apo kërkonte të argëtonte njerëzit, si në një skenë humori? Çfarë e pati shtyrë Sokolin të merrte përsipër rolin e servilrojës së Trampit?
Shkrimtari, poeti dhe analisti Rexhep Shahu, në një artikull, të botuar në portalin “Fjala e Lirë” të datës 06 shtator 2020, kritikonte ata që patën kundërshtuar Marrëveshjen e Vashingtonit, ku Abdulla Hoti, si kryeministër i Kosovës, mbajti një qëndrim prej burracaku dhe u soll si një kone para Aleksandër Vuçiçit. Rexhepi, përkundrazi, falënderonte Trampin për atë marrëveshje poshtëruese për Kosovën.
Kundër asaj marrëveshjeje, unë pata reaguar ashpër me një shënim të shkurtër, me titull “Dy fjalë për Marrëveshjen e Vashingtonit”, të botuar në internet më 04 shtator.
Për Rerxhepin kisha krijuar përshtypjen se ishte intelektual me brumosje nacionaliste, prandaj mbeta i befasuar nga reagimi i tij dhe më 07 shtator i pata nisur një letër, ku i shprehja zhgënjimin tim të thellë dhe ku i theksoja se me reagimin e vet ishte bërë palë me Ramën, i cili, në rolin e kryeservilrojës së Trampit, pati deklaruar me të madhe:
“Asnjë tradhti, burra! Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi, po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare” (Faqja e internetit e gazetës “Express”. 04 shtator 2020).
Rexhepi nuk më ktheu përgjigje. Nuk e di se cila ishte arsyeja e heshtjes së tij. Zonja Vjosa Osmani, në dallim të theksuar nga deklarata e Ramës, në një intervistë, të botuar në faqen e internetit “Radio Evropa e Lirë” të datës 11 shtator, pati theksuar se delegacioni kosovar, me në krye Abdulla Hotin, në takimin e Vashingtonit paskej pranuar që Republikës së Kosovës “t’i referohet vetëm si Kosovo”, çka do të thotë se Prishtina zyrtare pranonte tërësisht qëndrimin e Beogradit se Kosova u dashka që të mbajë jo emrin “Republika e Kosovës”, sipas Kushtetutës, po emrin serbosllav “Kosovo”. Në këtë mënyrë, kryeministri Hoti dhe delegacioni i tij respektonin plotësisht kushtetutën serbe, sipas së cilës Republika e Kosovës është pjesë e Serbisë. Një qëndrim i tillë i kryeministrit Hoti nuk mund të vlerësohej ndryshe, përveçse si tradhti e kulluar.
Pikërisht për kryeministrin Abdulla Hoti, që siç dihet, u soll pa dinjitet kombëtar para Trampit dhe Vuçiçit në takimin e 27 qershorit në Vashington, Mero Baze, një tjetër servilrojë me stazh të gjatë dikur në shërbim të Berishës dhe tani në shërbim të Ramës, duke u rreshtuar përkrah këtij të fundit në qëndrimin ndaj Vjosa Osmanit, në artikullin me titull“Disa gjëra që i qartësoi vizita e Vjosa Osmanit”, faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”, 18 dhjetor 2020, e vlerësonte lart “seriozitetin” e kryeministrit Hoti gjatë vizitës në Tiranë dhe “seriozitetin” e shtetit të Kosovës. Vallë nuk e dinte servilroja Mero Baze se sa e kishte “ruajtur” Abdulla Hoti “seriozitetin e shtetit të Kosovës” në Vashington më 27 qershor?
Nga radhët e shqiptarëve të Amerikës, si servilroja të zjarrtë të Trampit, dëshiroj të përmend pesonat e mëposhtëm:
Klajd Kapinova, në portalin “Zemra Shqiptare” të datës 14 korrik 2020, pati deklaruar:
“Me Joe Biden shqiptaro-amerikanët janë në anën më negative të historisë”.
Profesori i nderuar Vedat Shehu, shkencëtar, intelektual i shquar i kombit shqiptar, në artikullin me titull “Pyetje për Klajd Kapinovën”, të botuar në faqen e internetit “Tribuna Shqiptare” të datës 12 shkurt 2014, pati bërë skanerin e qëndrimeve antikombëtare të Klajd Kapinovës, i cili asokohe, nëpër faqet e internetit, sulmonte shoqatat shqiptaro-amerikane që protestuan kundër dekorimit të Janullatosit me titullin “Peace of Honor” nga presidenti i Fordham University në Nju Jork zoti Joseph M. McShane S.J..., sulmonte gazetat “Dielli” dhe “Iliria”, dy vatra të shqiptarizmës në diasporë, se pse nuk kishin botuar shkrimin e tij në mbrojtje të Janullatosit, një shkrim që s’ishte gjë tjetër, veçse një paçavure antishqiptare. Pra, pikërisht ky Klajd Kapinova, bënte thirrje që shqiptarët e Amerikës duhej të votonin për antishqiptarin dhe mikun e Serbisë, Trampin.
Në faqen e internetit “Syri” të datës 30 shtator 2020, u njoha me një artikull të Evi Kokalarit, me titull “Biden kërkoi falje në Serbi për bombardimet, ja çfarë më tha djali i Trump për shqiptarët”. Dhe më poshtë deklaronte: “Donald Trump është shumë xhenuin me shqiptarët. Nëse Donald Trump do të jetë për një mandat tjetër, do jetë shumë mirë për Shqipërinë dhe Kosovën”.
Me këtë rast, dëshiroj të hap një parantezë
Organizata “Albanians for Trump” (Shqiptarët për Trumpin), në tetorin që kaloi, pati publikuar një letër të hapur, drejtuar komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, përmes së cilës bënte thirrje që presidenti amerikan të votohej për një mandat të dytë. Kjo organizatë, duke veshur petkun e servilrojës në shërbim të Trampit, shtrembëronte të vërtetën, duke deklaruar:
“Kandidati Biden i ka kërkuar falje Serbisë për bombardimet e NATO-s që çliruan Kosovën dhe ishte ai që riparoi dhe rehabilitoi marrëdhëniet me Serbinë” (Citohet sipas: “Shqiptarët e Amerikës kundër Bidenit: i kërkoi falje Serbisë për bombardimet”. Faqja e internetit “Reporteri”. 27 tetor 2020).
Po si është e vërteta?
Le t’i referohemi një burimi, në të cilin del në shesh e vërteta:
“Si senator, Biden ishte përkrahës i madh i bombardimeve të NATO-s në Serbi gjatë viteve ’90. Ai më parë kishte thënë se puna e tij për t’i dhënë fund luftërave në ish-Jugosllavi ishte njëri ndër “momentet më krenare” të karrierës së tij politike… Biden gjatë takimit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u kërkoi falje familjeve të viktimave, - transmeton Koha.net. “Kujtimet për ata që humbën jetën janë ende të freskëta”, - ka thënë Biden. “Do të doja të shprehja ngushëllimet e mia familjeve që kanë humbur personat e dashur gjatë luftërave në vitet ’90, përfshirë edhe të atyre që humbën jetën si rezultat i kampanjës së NATO-s”, - ka shtuar ai (Citohet sipas: “Bideni u kërkon falje familjeve të viktimave nga bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “Periskopi”. 16 gusht 2020).
Pra, Baideni u ka kërkuar falje familjeve të viktimave, nuk i ka kërkuar falje shtetit të Serbisë, dhe gjatë asaj vizite, ai nuk pranoi të përkulet para flamurit serb. Me ç’të drejt e ashtuquajtura organizatë “Shqiptarët për Trampin” kërkonte që petkun e vet të servilrojës në shërbim të Trampit, t’ia vishte gjithë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara?
Organizata “Shqiptarët për Trampin”, me deklaratën e vet kundër Baidenit, i kundërvihej Radiostacionit të nderuar “Zëri i Amerikës”, i cili është krenaria e Shteteve të Bashkuara, si njëri nga radiostacionet më me autoritet në botë dhe që, në veprimtarinë e vet informative, ka për yll karvani të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Prandaj komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara duhet t’i besojë “Zërit të Amerikës” dhe jo mashtrimit të servilrojave të Trampit.
Në njërin nga emisionet e veta të muajit tetor 2016, Zëri i Amerikës ka dhënë informacionin në vijim:
“Kandidati presidencial nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s … Duke iu kërkuar falje serbëve për politikën amerikane e veçanërisht të presidentit Klinton, ai paralajmëroi që nëse bëhet president “do të forcojë lidhjet me qeverinë në Beograd”… Grupet politike ekstreme në Serbi mbështesin kandidatin republikan. Gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden në Serbi në muajin gusht të këtij viti, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe, protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikan, Donald Trump… “Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë”, - tha kryetari i Partisë Radikale Vojislav Sheshel. “Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do, por e urren atë”, - tha Sheshel, duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë” (Citohet sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 13 tetor 2016).
Me sa duket, organizatës “Shqiptarët për Trampin” i kanë pasë ardhur shumë në osh kritikat e Trampit në adresë të “Zërit të Amerikës”, kritika këto, për të cilat veterani i këtij Radistacioni shumë të nderuar, gazetari dhe publicisti i shquar Frank Shkreli ka reaguar si më poshtë:
“Edhe për mua, bazuar në përvojën time 30-vjeçare me Zërin e Amerikës, kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s janë aq të pakuptimta, sa edhe të çuditshme për një president… (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Gjithmonë në raste krizash e vërteta është viktima e parë”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”.16 prill 2020).
Evi Kokalari le ta ruajë dhe ta forcojë sa më shumë miqësinë me djalin e Trampit dhe me familjen e tij, meqenëse asaj nuk i bëhet vonë fare që Trampi, me Marrëveshjen e Vashingtonit të 27 qershorit 2020, ka amnistuar përfundimisht të gjitha krimet dhe shkatërrimet që bisha fashiste serbe pati kryer në Kosovë, duke i vënë në të njëjtin kandar kriminelët serbë dhe viktimat shqiptare.
Një tjetër shqiptare, qytetare amerikane, Bleona Qereti, në fund të muajit tetor dha një koncert në Miçigan. Koncertit iu bë paraqitja e bujshme në vijim që fillonte me reklamën “Një mbrëmje me Bleonën” (youtube, 30 tetor 2020) dhe vazhdonte:
“Shqiptarët në mbarë botën nuk do të harrojnë vitet e pamëshirshme të komunizmit që kanë kaluar. Për këtë arsye, komuniteti shqiptar, në mënyrë unanime, mbështet presidentin Donald Tramp, personin e vetëm që ka luftuar socializmin dhemb për dhëmb… Ndaj ju ftojmë të bashkoheni me ne në Miçigan, ditën e shtunë, më datën 31 tetor, për një festë madhështore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Bleona Qeretit, e cila do të performojë live në sallën e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” në Southfield Miçigan. Mbrëmja organizohet nga Albanian Amerikans for Trump, në bashkëpunim me Trump Compaign”.
Thelbin e kësaj reklame e zbulonte më së miri mashtrimi grotesk për Trampin, për “personin e vetëm që ka luftuar socializmin dhemb për dhëmb”!!! Nga jetëshkrimi i Trampit, nuk rezulton gjësend se në cilën fushëbetejë dhe me cilin socializëm ai “qenka ndeshur dhëmbë për dhëmbë”. Por Bleona nuk u mjaftua vetëm me atë reklamë që i bëhej me shumë bujë, në të cilën flitej me sigurinë më të madhe për votën “unanime” të komunitetit shqiptar për Trampin!!! Ajo i dha një intervistë Blendi Fevziut në Tv Klan pikërisht më 02 nëntor, një ditë para zgjedhjeve presidenciale. Atë intervistë e ndoqa në youtube, me diçiturën: “Nëse Trump nuk fiton, SHBA kthehen vend socialist në pronësi te Kinës”. Në atë intervistë Bleona deklaroi: “… unë nuk do të jetoj në një vend socialist, do të kthehem në Shqipëri”.
Meqenëse Trampi humbi zgjedhjet dhe, sipas bindjes së patundur të Bleonës, Amerika “do të kthehet në një vend socialist në pronësi të Kinës”, ne, qytetarët e thjeshtë, jemi të bindur që ajo “do ta mbajë fjalën” dhe “do të kthehet” në atdhe. Po ku do të kthehet, e bekuara Bleona? Në atdheun e saj në pronësi të Ramës, i cili e ka kthyer në një vend neosocialist? Ajo shprehte bindjen se shqiptarët e Amerikës dhe qytetarët amerikanë kanë jetuar më mirë katër vjetët që kaluan, prandaj duhej të votonin për Trampin. Po si qe mundur që shumica e votuesve amerikanë nuk ia dëgjuan fjalën Bleonës, por shkuan e votuan për “të keqen” e vet, për “varfërinë që do t’i pllakosë si vend socialist në pronësi të Kinës”?!!! Po kush na siguron se Bleonës nuk do t’i hyjë në qejf “socializmi kinez në Amerikë” dhe të harrojë të kthehet në atdheun neosocialist të Ramës?
Është për të ardhur keq që Bleona i pati lejuar vetes të nxjerrë nga goja broçkulla të tilla, duke i marrë për të vërteta gatesat e kuzhinës trampiste për “vendosjen në Amerikë të rendit socialist kinez” nëse Trampi nuk rizgjidhej president. Shqiptarët dashamirës kanë pritur që Bleona t’ia bënte fora, si Rita Ora, por jo t’ia bënte fora me fotografimet me Riçard Grenellin që përkrahte Thaçin për copëtimin e Kosovës, si edhe me rolin e servilrojës në shërbim të Trampit, mbrojtësit të krimeve të Serbisë në Kosovë, poshtëruesit të popullit shqiptar të Kosovës dhe simpatizantit të Putinit. Me atë fotografi përkrah Grenellit, Bleona sfidonte hapur Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila, në prill të vitit të kaluar, i qe drejtuar presidentit Tramp me një letër të posaçme, në të cilën i kërkonte që ta lirojë ambasadorin Grenell nga detyrat e tija si i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi.
Bleona i deklaroi Blendi Fevziut se nuk merrej me politikë, por thirrjet e saj të zjarrta, drejtuar komunitetit shqiptar për të votuar pë Trampin, ishin tregues mjaft domethënës i rreshtimit të saj në barrikadat e politikës tramiste. Dhe ato thirrje mund t’u kenë ngjallur dyshime teleshikuesve se sikur Trampi të kishte fituar, Bleona, ku ta dish, mund të ftohej të shërbente në administratën e tij, meqenëse në artin muzikor nuk arriti të bënte emër as në atdheun amë, as në Amerikë. Se dihet që njerëzve që u del huq në zejen e tyre, mundohen ta gjejnë veten në skenën e politikës. Në Shqipëri kjo është një dukuri e rëndomtë.
Nuk e di nëse Bleonës i ka bërë përshtypje ose jo vlerësimi që ka dhënë për Trampin aktori i shquar veteran i Hollivudit, ish-guvernatori republikan i Kalifornisë Shvarceneger (Arnold Schwarzenegger - 1947), i cili ca kohë më parë, në një videomesazh, pati deklaruar:
“Presidenti Tramp është një lider i dështuar. Ai do të kalojë në histori si presidenti më i keq i kohërave” (Citohet sipas: “Arnold Shvarceneger qorton Trampin në një videomesazh”. Faqja e internetit “Deadline”. 10 janar 2021).
Shqiptarët e atdheun amë, me simpatinë e tyre për Trampin, u shndërruan në servilroja të tij dhe nxorën në pah cektësinë e formimit të tyre intelektual, se, me dashje ose pa dashje, për shkak të filozofisë së servilizmit të tyre ndaj presidentit amerikan, u rreshtuan përkrah antishqiptarizmit të tij. Kurse për shqiptaro-amerikanët që bënë thirrje për të votuar për Trampin,. mund të thuhet se dikush prej tyre mund të jetë nisur nga interesa personale që lidhen me biznesin apo me ndofarë sponsorizimesh të gjithfarëllojshme. Megjithatë, ata duhej ta kishin kuptuar me kohë pulsin e shumicës së opinionit publik amerikan dhe simpatitë e tyre për Trampin le t’i mbanin për vete. Me sa duket, shqiptarizmi është shuar krejtësisht në qenien e tyre, derisa nuk u pati bërë pështypje absolutisht thirrja e mikut amerikan të shqiptarëve, e intelektualit të shquar David L. Filips (Phillips), i cili shkruante:
“Trump e ka tradhtuar Kosovën. Kur të votojnë në nëntor, shqiptaro-amerikanët duhet të kërkojnë ndryshimin e regjimit në Amerikë” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).
Ky intelektual i shquar amerikan me siguri që ka parasysh tradhtinë nga ana e Trampit të traditës uilsoniane dhe klintoniane në qëndrimin ndaj shqiptarëve, se Trampi nuk pati ushqyer kurrë ndonjë simpati për shqiptarët.
Për kujtesë shqiptaro-amerikanëve të lartpërmendur, dëshiroj të theksoj se të jesh shqiptar antishqiptar ose të rreshtohesh pranë një presidenti të huaj antishqiptar, nuk është ndonjë çudi e madhe, “nuk është ndonjë krim” në kushtet e demokracisë dhe të fjalës së lirë. Por ama antishqiptarizmi i njeriut me origjinë shqiptare, është një njollë në jetëshkrimin e tij. Dhe kjo njollë mbetet e pashlyeshme për gjithë jetën nëse ke miqësi ose origjinën e ke sidomos nga fisi i Musine Kokalarit, figurës së shquar të kombit shqiptar, nacionalistes emblematike, e cila, me një vendosmëri shembullore, u ngrit burrërisht kundër tradhtisë së kryekriminelit Enver Hoxha, argatit të regjur të Beogradit, i cili, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, kërkoi me ngulm që Shqipëria, nën maskën e republikës së shtatë, të bëhej koloni e Jugosllavisë.
Me thirrjet e tyre për të votuar për Trampin, servilrojat i nxorën bojën vetes në sytë e Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, për të cilën antishqiptarizmi i Trampit është shumë revoltues. Se Diaspora shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet vatër e fuqishme e shqiptarizmit, prandaj e kujton me shumë respekt Presidentin Uilson (Woodrow Wilson - 1856-1924), i cili ka thënë:
“S’ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri… Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare” (Citohet sipas: Anton Çefa. ““Vatra”, Noli, Konica dhe Uilsoni”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 10 shtator 2020).
Duke pasur parasysh pikërisht këtë qëndrim dashamirës të presidentit Uilson ndaj Shqipërisë, një profesor i nderuar ka theksuar:
“Dhe kjo është në traditën amerikane, në politikën që ka mbajtur gjithnjë kundrejt Shqipërisë, duke filluar prej presidentit të madh Woodrow Wilson, kujtimi i të cilit ka mbetur i paharruar në zemrat dhe mëndjet e shqiptarëve, sepse në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ai hodhi poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës (26 prill 1915), që sakrifikonte të drejtat legjitime të Shqipërisë dhe njëherit, ai u kërkoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, respektimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë. Pra, njeriu që e shpëtoi Shqipërinë” (Citohet sipas: Prof.dr. Nebi Dervishi. “Njeriu që denocoi Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915) dhe shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi”. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 02 shkurt 2020)
Prandaj për Presidentin Uilson kanë thënë::
Fan Noli: “Uilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë”.
Faik Konica: “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton se ç’borxh të madh i kemi Uilsonit”.
Me të njëjtin respekt, Diaspora kujton Presidentin Xhorxh Bush (George W. Bush - 1946), i cili, gjatë vizitës në Tiranë më 10 qershor 2007, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhet e pavarur”, si edhe Presidentin Klinton (Bill Clinton - 1946), kalorësin e madh të çlirimit të Kosovës, i cili i dha dajakun që meritonte Serbisë dhe një leksion domethënës Rusisë. Ai ka deklaruar:
“…Kosova duhet të jetë e vetmja temë, për të cilën pajtohen të gjithë amerikanët, prandaj ju uroj sukses dhe besoj se vendi im do të vazhdojë t’ju mbështesë në përparimin tuaj… Do të jem gjithmonë krenar për faktin se kam qenë president i Shteteve të Bashkuara në kohën kur juve ju duhej dikush që do të qëndronte kundër spastrimit etnik, dëbimit të njerëzve nga shtëpitë e tyre” (Citohet sipas: “Klinton: Krenar që isha president kur duhej dikush që do t’i kundërvihej spastrimit etnik”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 11 qershor 2019).
Në dallim të theksuar nga presidentët e lartpërmendur, Trampi, në një intervistë për “Fox News”, të transmetuar më 18 korrik 2018, duke folur me gjuhën e shpifografisë serbe, për shqiptarët deklaroi:
“Janë shumë agresivë, nëse nxehen jemi në Luftën e Tretë Botërore”.
Me këtë deklaratë absurde, Trampi, në rolin e zëdhënësit të rusoserbizmit, mashtronte në mënyrën më fragrante mbarë opinionin publik amerikan. Sepse shqiptarët, po të kishin qenë agresivë, do të kishin pushtuar edhe territore të huaja, ndërkohë që ata, për shkak të përçarjes tragjike që i ka karakterizuar në shekuj, një arsye madhore kjo e paaftësisë së tyre për vetorganizim mbarëkombëtar, nuk kanë qenë të zotë të mbrojnë trojet e veta etnike.

Los Anxhelos, Kaliforni
27 janar 2021

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 492 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi